Tirana dhe Landi i Nordrhein-Westfalen në Gjermani do të forcojnë bashkëpunimin mes tyre në fushën e transportit dhe të ekonomisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim zëvendëskryeministrin e Landit të Nordrhein-Westfalen-it dhe njëkohësisht Ministër për Fëmijët, Familjen, Refugjatët dhe Integrimin, Dr. Joachim Stamp, dhe ministrin e Landit të Nordrhein Westfalen për Punët e Jashtme, Evropën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, zDr. Stephan Holthoff-Pförtner, me të cilët bisedoi rreth shtimit të bashkëpunimit në disa fusha me interes për Tiranën.
“Ishte një kënaqësi shumë e veçantë të kishim miqtë nga Nordrhein-Westfalen dhe qeveria që ata përfaqësojnë, e këtij Landi shumë të rëndësishëm, ku bën pjesë ish-kryeqyteti i vjetër, Bonn-i, dhe disa nga qytetet më të rëndësishme gjermane, e ku fatmirësisht nga aeroporti i Tiranës kemi edhe një lidhje direkte. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është shumë speciale. Unë besoj fort se Gjermania është një nga avokatet më të rëndësishme të integrimit të Shqipërisë, të stabilitetit në rajon, të shumë prej politikave tona progresive”, deklaroi Veliaj. Zëvendëskryeministri i Landit të Nordrhein-Westfalen-it, Dr. Joachim Stamp tha se Tirana është rritur shumë vitet e fundit, duke shënuar arritje të rëndësishme. Ai shprehu bindjen se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane.
“Ishte një kënaqësi mjaft e madhe të ishim në këtë kryeqytet kaq të mrekullueshëm si Tirana, një kryeqytet i ri me 100 vite histori dhe me kaq shumë të rinj, e kaq entuziazëm për të gjitha arritjet inovative që patëm mundësinë të shikonim këtu. Patëm mundësinë të shikojmë sesi është rritur ky qytet, si të shkëmbejmë nevojat me njëri-tjetrin për sa i përket çështjeve me interes të përbashkët. Shqipëria është një pjesë integrale e familjes evropiane dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces, të cilin shpresojmë shumë që ta menaxhojmë me sukses sëbashku”, deklaroi Stamp. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e Gjermanisë në rehabilitimin e godinave për studentët, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë edhe masterplani për transportin në kryeqytet.
“Në vizitën e fundit me kancelaren Merkel, vendosëm disa ura bashkëpunimi për politika të qëndrueshme. KfW-ja gjermane, GIZ-i, financojnë disa nga konviktet dhe një mënyrë për të pasur mirëqenie më të mirë për studentët në Tiranë. Ka mbaruar një projekt, do të fillojmë me ato që kanë mbetur në “Qytetin Studenti”. Me qeverinë gjermane po bashkëpunojmë edhe për mobilitetin. Tani duhet të fillojmë masterplanin e transportit në Tiranë”, tha Veliaj. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ecin përpara, ndërsa theksoi se në shumë prej projekteve sociale, bashkëpunimi me Gjermaninë ka qenë kyç.
“Marrëdhëniet mes njerëzve bëjnë diferencën. Në shumë prej projekteve tona sociale, bashkëpunimi me Gjermaninë ka qenë kyç dhe unë mezi pres që të bëjmë më shumë. Jo vetëm në këtë proces të integrimit, por edhe për ta treguar më shumë historinë e transformimit të Tiranës, si një histori frymëzimi që vjen nga Ballkani dhe jo vetëm historia tipike e problematikave, që sigurisht duhen adresuar, por janë në zgjidhje e sipër. Besoj se më e mira është përpara”, përfundoi Veliaj. Në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, Veliaj i dorëzoi Zëvendëskryeministrit të Landit të Nordrhein-Westfalen-it, Dr. Joachim Stamp, “Kullën e Sahatit”.