Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka takuar sot kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
Përmes një deklarate publikuar nga ambasada amerikane, ambasadorja Yuri Kim thekson se në fokus të diskutimeve me krerët e shtetit shqiptar ka qenë Konferenca e Donatorëve, e cila kaloi pritshmëritë, duke mbledhur 1.15 miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Por, përveç Konferencës, ambasadorja Kim thekson se ka diskutuar me liderët shqiptarë “edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike”.
“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.
Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, thekson ambasadorja.