Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha sot se do të punohej paralelisht në hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se Komisioni Europian do ta paraqesë planin e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor para samitit të Zagrebit. “Duhet të angazhohemi më shumë në Ballkanin Perëndimor, në të gjitha nivelet. Ne duam t’i përfshijmë më shumë vendet anëtare në monitorimin dhe rishikimin e progresit”, deklaroi ai.
“Procesi i pranimit duhet të mbështetet në besimin e fortë dhe të ndërsjellë. Përqendrimi në reformat themelore do të forcohet, ndërsa BE-ja duhet të përmbushë angazhimin e saj, kur kandidatët i plotësojnë kushtet”, vazhdoi Varhelyi. Komisioni Europian do të propozojë sot ndryshime në procesin e pranimit në BE, ashtu siç u kërkua nga Franca, si kusht për fillimin e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në tetorin e 2019, Paris luajti një rol kryesor në bllokimin e fillimit të negociatave zyrtare të pranimit në BE të Shkupit dhe Tiranës, kundër dëshirës së shumicës së kryeqyteteve të tjera të BE-së megjithëse, sipas Komisionit Europian, dy vendet e Ballkanit Perëndimor kishte bërë detyrat e nevojshme.