Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot familjen Cuka nga Thumana në banesën e tyre të re, familje e cila nga tërmeti i 26 nëntorit humbi dy prej anëtarëve të saj.“Me përpjekjen për të shëruar plagët e dhimbjes së kësaj familje, ne i lehtësuam kësaj familjeje barrën financiare të jetesës dhe sistemimin në shtëpi të re në kryeqytet”, – u shpreh Rama.Kryeministri Rama tha se për projektin e Thumanës po punohet me shpejtësi të madhe, ndërsa theksoi se projekti parashikon riorganizimin e të gjithë zonës.

“Ishim para pak orësh me kryetarët e bashkive dhe po i shikonim të gjitha projektet dhe ecurinë, tani po bëjmë projektin, është duke përfunduar edhe pak. Po bëhen me shpejtësi të madhe, sepse në fakt projektet duan muaj të tërë, dhe ndonjëherë marrin edhe dy vjet. Por, po e bëjmë me shpejtësi të madhe prej infrastrukturës aty që të fillojmë paralelisht. Aty në fakt do të bëhet një ndërhyrje shumë e madhe, sepse do të riorganizohet e gjithë zona. Që nga qendra që hyn aty, pjesa e fushës, më pas pjesa e ndërtimeve, pjesa e banesave individuale në terrenin që është në krahun tjetër, në terrenin bosh. Do të ndërtojmë nja dy hapësira për njësinë administrative dhe është goxha projekt i mirë. Do të jetë ndryshim i madh”.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ditën e hënë do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve në Bruksel, me qëllim për të ndihmuar Shqipërinë për procesin e rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Ai u shpreh optimist, nisur edhe nga ndjesia se shuma nuk do të jetë thjesht simbolike.

“Kemi Konferencën të hënën, të shohim se çfarë do të marrim aty. Nuk është se presim që të mbyllen të gjitha, po kemi punuar intensivisht me kontakte, me udhëtime, me takime, edhe kemi një ndjesi të mirë, që nuk do të jetë diçka thjesht simbolike, ose diçka shumë nën pritshmëritë. Pritshmëria ime është që të kemi mbështetjen që të na japë mundësinë që bashkë me fondet që kemi vënë vetë në dispozicion, bashkë me nja dy ide të tjera që do t’i vëmë në lëvizje pas pak, të plotësojmë nevojat. Ta shfrytëzojmë këtë moment, ketë plagë për ta bërë shumë më mirë dhe për ta pasur shumë më të fortë organizimin më pas. Ata që ikën nuk i kthejmë dot, por të paktën të gjithë atyre që u goditën t’u japim mundësi të hyjnë në një jetë tjetër, me cilësi të re të paktën nga ana e strehimit. Të gjithë do të kenë banesa më të mira se ato që kishin, pa diskutim”, – deklaroi Rama.Kryeministri i bëri dhuratë simbolike vajzës së familjes Cuka një libër të Orhan Pamuk, të shoqëruar me një autograf në të.

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj u shpreh se edhe fëmijët e kësaj familjeje, shumë shpejt, sikurse edhe fëmijët e tjerë të gjithë zonës Don Bosko do të kenë edhe dy shkolla të reja. Kryebashkiaku nënvizoi se në këtë zonë kanë nisur dy nga 17 shkollat e reja, sikurse janë shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe gjimnazi “Kristo Frashëri”.

“Pas këtyre vilave janë dy shkollat e reja të projektit të 17 shkollave, shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” gjimnaz. I gjithë pellgu i fundit i Don Boskos do mblidhet në 2 megashkolla. Pra, janë rreth 3000 nxënës, 1500 njëra dhe 1500 tjetra, kështu që edhe zgjidhet gjithë problematika e kësaj zone”, – theksoi Veliaj.