Rihapet plotësisht lufta për titull në Serinë A dhe merita është edhe e shqiptarit Marash Kumbulla, protagonist absolut i fitores 2-1 të Veronës ndaj Juventusit kryesues. Djaloshi ka qenë një nga emrat më të lakuar të ndeshjes, pikërisht në ditën e 20-vjetorit të tij, duke e festuar në mënyrën më të mirë të mundshme.Ndeshja në fillimin e saj ka parë si protagonist pikërisht mbrojtësin shqiptar. Pas një goditje dënimi në minutën e 21-të, ai me kokë dërgoi topin në rrjetën e portës kundërshtare, por ai iu anulua nga VAR për një pozicion jashtë loje milimetrik të dorës së tij në momentin e harkimit.Juventusi në fakt kishte dominuar pjesën e parë dhe ishte pa fat që e mbylli vetëm me barazimin 0-0,pasi në dy raste u ndal nga traversa dhe nga shtylla.Të dy palët dhuruan një ndeshje spektakolare në vijim me sulme e kundërsulme, por ishte Juventusi ai që shënoi i pari më anë të Ronaldos. Portugezi mposhti në duelin një kundër një Rrahmanin dhe dërgoi topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin të tijve.
Verona reagoi dhe vetëm pak minuta më vonë, Borini barazoi shifrat me diagonalen e tij.Fundi i ndeshjes do të shihte përsëri protagonist Kumbullën, i cili pa një goditje të tijën të devijohej nga krahu i Bonuçit në traversën e portës bardhezi. VAR këtë herë foli për shqiptarin, duke akorduar penalti për vendasit.Pacini nga pika e bardhë nuk gaboi, duke i dhënë suksesin 2-1 Veronës që e mbrojti me dhëmbë deri në vërshëllimën përfundimtare rezultatin, për tre pikë historike e për të rihapur plotësisht luftën për titull në Serinë A.
Verona-Juventus 2-1
76′ Borini, 85′ (p) Pacini / 65′ Ronaldo
Golashënues: Borini 76′, Pacini 85’/ Ronaldo 65′