Vjosa Osmani ka folur për herë të parë si kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo thotë se marrëveshja mes dy subjekteve, LDK dhe VV është zbatim i vullnetit të qytetarëve ndërsa premton se do të jenë aty për ju dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës. Osmani shpreh nderimin më të madh për ata që sakrifiuan jetë për lirinë e vendit, ndërsa shprehet se duhet punuar me nder dhe përgjegjësi për ta bërë Kosovën një vend për të cilin duhen krenuar gjeneratat.

“Të dashur e të respektuar qytetarë, Gjatë gjithë angazhimit tim politik, qe gati 2 dekada, një gjëje nuk i jam ndarë asnjëherë: respektimit të vullnetit tuaj. Gjithë jetën time në politikë e kam pasur një referencë: Dr. Ibrahim Rugova. Asnjëherë, pavarësisht pengesave gjatë rrugës, nuk kam reshtur së punuari që vullneti i qytetarëve të Republikës sonë të jetësohet.

I falenderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kurrë nuk u ndalën se besuari se është vota e vullneti i tyre që do të bëjnë ndryshimin e madh në vendin tonë të dashur. I falenderoj të gjithë deputetët për besimin që të udhëheqë Kuvendin e Republikës së Kosovës, tempullin e demokracisë ku përfaqësohet sovrani. Falenderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë time të 20 viteve, për besimin dhe përkrahjen. Uroj Qeverinë e Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe gjithë kabinetin qeveritar për marrjen e detyrës dhe shpresoj që me punën e tyre do të na bëjnë të gjithëve krenarë. Do të punojmë fort dhe bashkë me njëri-tjetrin e me miqtë e Kosovës që ky vend, të jetë i denjë për të mos e braktisur kurrë.

Asnjëherë, të dashur qytetarë, nuk do të harrojmë se jemi aty për Ju e për secilën pëllëmbë të Kosovës. Secili prej nesh është mirënjohës ndaj jush dhe vullnetit Tuaj, deri në përulësi. Nderimi ynë më i madh për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, deri edhe jetën e tyre, do të jetë nëse me nder e përgjegjësi punojmë për të gjallët dhe nëse Kosovën e bëjmë vend me të cilin krenohen gjeneratat pas nesh. Ne, jemi Ju!

Sinqerisht e Juaja, Vjosa Osmani-Sadriu”, shkruan Vjosa Osmani.