Nga Alfred Peza/
Nëse e pranojmë si të mirëqenë thënien se “politika është akt”, atëherë duhet të pranojmë, se vendimi për të dërguar nga Shqipëria 30 mjekë dhe infermierë në Itali për luftën kundër koronavirusit, është ndoshta kryeakti politik i Edi Ramës. Jo për nga sasia. Por për nga koha, cilësia dhe mënyra e realizimit të tij. Ky akt bart në vetvete një fuqi simbolike të jashtëzakonshme, ardhur në momentin kur pandemia globale e ka gjunjëzuar Europën, ndaj edhe do të mbahet mend gjatë.
Është kjo edhe arësyeja se përse ky vendim ngjalli kaq shumë entuziazëm në Italinë fqinje, që është një nga vendet e goditura më rëndë në të gjithë botën, nga Covid-19. Dërgimi i ekipit shqiptar në Lombardi, ngjalli shumë habi në qarqet e kapura në befasi, të politikës Europiane. Por edhe vëmendje të shtuar diplomatike, pas përcjelljes me superlativa të lajmit, nga mediat botërore.
Për çudinë e të gjithëve, në vend që ti gëzonte e ti bënte krenarë si shqiptarë, ky lajm i ka trazuar dhe tërbuar më shumë se çdo herë tjetër, opozitarët në Tiranë. Liderët politikë të së djathtës shqiptare, kanë 24 orë që po turfullojnë. Po ziejnë. Po u bien tavolinave me grushta, në transmetimet televizive direkte. Po nxjerrin vartësit nëpër konferenca shtypi. Po i shtyjnë të bëjnë statuse të panumërta në rrjetet sociale. Duke futur në lojë mediat pranë tyre, përmes akuzash e sajesash nga më fantastiket për qeverinë, pa asnjë lidhje me ndonjë nga zhvillimet konkrete të kohëve të fundit.
Qëllimi është i qartë. Po kërkojnë me çdo çmim që ta zhbëjnë. Ta njollosin. Eklipsojnë. Ta zhurmojnë dhe amortizojnë sadopak, jehonën e jashtëzakonshme të aktit të Kryeministrit. I cili i bën nder Shqipërisë europiane. Përmes kësaj sjellje, opozita zbuloi publikisht diçka deri dje të diskutueshme, duke e bërë sot gati një fakt të kryer: Po kërkon ta ngrejë të ardhmen e vet politike për rikthimin në pushtet, jo përmes programeve dhe kauzave, por mbi fatkeqësinë e qytetarëve.
Deri pak para ceremonisë së dërgimit të 30 mjekëve dhe infermierëve drejt Italisë, liderët e opozitës sonë, po bënin si konstruktivë. Si luajalë. Sikur po solidrizoheshin me shqiptarët. Sikur po i jepnin mbështetje qeverisë dhe strukturave shtetërore, për përballimin e luftës ndaj Covid-19. Por siç shihet paskan qenë duke u lutur çdo ditë në heshtje, jashtë vëmendjes së publikut, për të kundërtën. Ndaj mediat e rrjetet sociale pranë tyre, kanë nisur që të përhapin panik. Të dizinformojnë. Të ngrenë alarme false për sistemin shëndetësor, biznesin dhe ekonominë e vendit.
Tërbimi opozitar për 30 djemtë dhe vajzat që u nisën drejt vijës së parë të luftës globale, duket tashmë si kopja identike e lojës që u tentua të luhej pas tërmetit të 26 nëntorit. Duke dashur edhe atëherë, që të bënin politikë, me fatkeqësinë natyrore. Derisa mbetën pa fjalë, ditën e mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, që grumbulloi 1.15 miliardë euro për projektin e rindërtimit. Përballimi me sukses edhe i luftës ndaj koronavirusit, përveçse një triumf për shqiptarët, do të ishte edhe një fitore për mazhorancën qeverisëse të vendit. Kjo i tremb shumë kundërshtarët e Edi Ramës, të cilët prapa kësaj, shohin fitoren e sigurtë të mandatit të tij të tretë qeverisës.
Po çlidhje ka ky skenar sot, kur ndodhemi ende në kulmin e pandemisë në Shqipëri dhe lufta do kohë të mbarojë? Arsyeja është lehtësisht e kuptueshme. Përmes aktit të dërgimit të mjekëve në frontin më të vështirë të luftës, Kryeministri Edi Rama dha mesazhin e solidaritetit e mirënjohjes për Italinë që na është gjendur pranë historikisht në momentet tona më të vështira.
Nëse Salvini këtë akt e përktheu si “30 shuplaka kundër BE që i ka braktisur”, në Shqipëri ajo përkthehet ndryshe. Ato mjekë dhe infermierë janë 30 shpullat e shqiptarëve ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të arrijnë përfitime të çfarëdolloj natyre, në kurriz të jetës dhe së ardhmes së tyre.
Akti i Edi Ramës është shenja e forcës së një vendi, që di të ringrihet bashkë me miqtë e vet në fatkeqësi, përmes vlerash të përbashkëta europiane. Vlera të cilat qytetërimi perendimor, ndoshta do të duhej ti kishte, ca… më të arrira. (Alpenews.al)