Futbolli italian është në kaos dhe rrezikon që të mbyllet jo thjesht për 1 muaj por ndoshta edhe fare, për këtë sezon! Por, çfarë do të ndodhte nëse kjo gjë do të zyrtarizohej, pa mundësi për të rivazhduar, në sajë të emergjencës totale që ka pushtuar Italinë dhe që ka shkaktuar mbi 300 viktima deri tani?
Sipas “Repubblica”, gazetë prestigjoze, hipoteza më ekstreme, pra mbyllja e kampionatit, sidomos në rast se ndonjë futbollist rezulton pozitiv dhe i infektuar me koronavirus, do të sillte këto pasoja. Edhe pse statuti i Federatës nuk parashikon këtë hipotezë, ndaj nuk ofron zgjidhje, do të zhvillohej një mbledhje e jashtëzakonshme. Hera e fundit kur kampionati italian i futbollit u ndërpre është viti 1915, kur më 23 maj Italia hyri në Luftën e Parë Botërore. Ai kampionat nuk mbaroi kurrë!
Të martën do të flitet. Një pjesë e presidentëve janë “pro” që të ngrijë klasifikimi aktual (dhe pse jo të gjithë kanë zhvilluar numër të njëjtë ndeshjesh). Kristalizimi do t’i lejonte të gjithëve që të ruanin kategorinë, por askujt të fitonte. Një zgjidhje për shumë e papranueshme. Por, si do të përcaktohej renditja përfundimtare?
Do t’i takonte, si në vitin 2006 pas Calciopoli, Këshillit të Federatës, që mund të vendosë edhe të mos dorëzojë titullin, duke komunikuar vetëm pozicionin final pa titull për pjesëmarrjen në kupat e Europës. Por, këtu lindin dy probleme, sepse do të fshihej superkampionati i Lazios dhe Beneventos në Serie B.