Nga Albiona Sulo/

Në këto ditë jo të lehta për mbarë botën, duket se njerëzit i janë kthyer zakoneve të vjetra dhe ngrohtësisë që të jep shtëpia. Kthim mbase i detyruar ky nga nevoja për të mundur një armik të padukshëm, por që na solli jo pak të mira; na bashkoi me familjet, na bëri të shpenzojmë më shumë kohë me fëmijët, të kemi më shumë kohë për kujdesin ndaj vetes dhe shtëpisë, të gjejmë lumturinë në gjërat e vogla, por aq shumë me rëndësi në jetët tona.
E duket se zonjat dhe zonjushat janë rikthyer në këndin e tyre, nga ku mbase jeta e vrullshme dhe e ngarkuar i largoi për vite me radhë, në kuzhinë. Besoj se shumë nga ju hasin çdo ditë në rrjetet sociale postime nga mikeshat virtuale, me receta gatimesh të larmishme, që nga tradicionalet e deri tek eksperimentet më të reja. Shumë prej nesh i janë bashkuar mamit në kuzhinë për të mësuar recetat e vjetra, por nga ana tjetër edhe mamatë tona kanë mësuar nga ne recetat e reja. E ka nga ato amvisa të tjera që kanë surprizuar bashkëshortët e tyre me aftësitë kulinare. Të gjitha kemi shfrytëzuar në këto ditë ato grupet e WhatsApp-it që kemi me mikeshat për të ndarë çdo ditë recetat e reja që kemi gatuar dhe për të mësuar më shumë.
Ndërsa disa prej zonjave kanë menduar që këtë shkëmbim recetash ta bëjnë më publike dhe të kenë mundësinë ta shohin edhe ato që nuk janë miket e tyre, por mund të bëhen mike virtuale. Prej disa ditësh në rrjetin social Instagram në faqen @gatime_ne_kohen_e_karantines kanë zgjedhur të ndajnë gatimet e tyre të gjitha zonjat dhe zonjushat, duke e bërë akoma dhe më argëtues procesin e gatimit.
E keni parasysh atë pyetjen e mëngjesit: çfarë do të gatuaj sot për drekë? Mos e mundoni shumë veten po bëni një scroll tek kjo adresë dhe mund të frymëzoheni për recetën tuaj të radhës. Unë për vete zgjodha si recetë të parë për të ndarë me miket e mia virtuale amvisa, një ëmbëlsirë shumë të thjeshtë, por dhe shumë të shijshme për çdo moshë, krostatën me reçel kumbulle. Mirë që i bëra foto para, se tashmë nuk ka ngelur asnjë copë. Po ti çfarë bërë sot për familjen tënde? Na e dërgoni në instamessage dhe ne do ta postojmë. Unë do të sugjeroja që në këndin tuaj përveç fëmijëve që e kanë me shumë qejf procesin e gatimit, sidomos të brumit, të përfshinit edhe partnerët tuaj. Pse jo dhe ata mund të kenë një pjatë të tyre specialitet.
Le ta bëjmë sfidën tonë të përditshme të gatimit edhe më argëtuese dhe të marrim ndjesinë se nuk jemi vetëm edhe pse të izoluar. Një gjë është e sigurtë, ky virus i bëri të gjitha zonjat dhe zonjushet amvisa më të mira. Lum si burrat!
Le të filloj loja ?.

https://www.instagram.com/gatimi_ne_kohen_e_karantines/?igshid=846vvms3njfm