Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “Partia Demokratike është tërhequr nga ideja e financimit të partive politike 100% nga shteti, ndërsa tha se do të diskutohet për shifrat e ndarjes miks mes kontributit shtetëror dhe atij privat”. Në një prononcim për mediet pas tryezës për reformën, Gjiknuri tha se “që në hapat e parë kemi bërë disa propozime që janë mbështetur edhe nga ndërkombëtarët për uljen e tavanit të shpenzimeve të partive në fushatë dhe tani diskutohet sa do të jetë nga shteti dhe sa nga privatët”.

“Ne jemi për miks, duke shtuar masën për shtetin, por duke lënë një tavan të pranueshëm që u lejon partive të bëjnë fushatë. Gjërat e para mund të adresohen në Kod, ndërsa financimi mbase do të kërkojë më shumë kohë, që të adresohet dhe këtu nuk besoj se do të ketë ndarje. Pjesa e ligjit të financimit që është më tërësor do të marrë më shumë kohë. Jemi për financimin miks dhe na vjen mirë që edhe PD ka hequr dorë nga financimi 100% publik. Problemi është të gjejmë një shifër të pranueshme në balancë mes kontributit shtetëror dhe privat”, tha ai. Gjiknuri u shpreh se “mund të gjendet një sistem më i pranueshëm dhe i balancuar mes kontributit shtetëror dhe atij privat”. “Janë futur elementë të rinj garanci, monitorim më i imët nga palët e treta, vendosja e një kufiri jo më shumë se 50 mijë lekë që të bëhet përmes llogarive bankare. Besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, shtoi ai.

Për sa i përket listave të zgjedhësve, Gjiknuri u shpreh se “këto janë konsiderata politike dhe kapacitetet aplikuese janë më të mëdhatë që kanë qenë ndonjëherë”. “Kemi mbi 170 personel të angazhuar për aplikim për kartë apo pasaportë. U kërkua nga PD-ja një shifër, që do të vijë zyrtarisht, se sa zgjedhës janë pa asnjë dokument. Problemi i listave është çështje e zgjidhur, nuk ka më dublime në lista por ka një sistem më të mirë të adresave. Në 2013 ishin 500 mijë adresa me kode të papërcaktuara, ndërsa sot ky numër është reduktuar në një numër minimal. Asnjë njeri nuk mund të votojë dy herë në Shqipëri. Është shqetësim politik, se në regjistrin e gjendjes civile punojnë të njëjtët njerëz që kanë qenë”, tha ai. Gjiknuri tha se “qëllimi është që deri në 15 mars të arrihet në një marrëveshje në parim, pastaj ndryshimet mund të votohen edhe në prill, pasi nga 2021 kur janë zgjedhjet e radhës ka kohë të mjaftueshme”.

“Ka akoma shumë çështje të pazgjidhura, por mos e shikoni 15 marsin si datë që të kemi të gjithë draftin. Duhet të kemi një dakordësi politike për të gjitha çështjet, procedura e zbardhjes së tekstit dhe aprovimi në Kuvend mund të marrë edhe 2-3 javë, qoftë edhe një muaj, por në 15 mars duhet të kemi dakordësi për çështjet dhe më pas ekspertët të zbardhin draftet. Nëse kemi një dakordësi kemi marrëveshje për të gjitha çështjet për të cilat kemi debate atëherë është sukses i arritur. Marrëveshja ka shumë rëndësi, më pas gjithçka është zbardhje dhe gjëra teknike. E rëndësishme është që të biem dakord në Kuvend, mund ta aprovojmë edhe në Prill kemi kohë edhe një vit për zgjedhjet e radhës, koha është e mjaftueshme”, tha ai.