Federata Shqiptare e Futbollit është tërhequr nga gara për organizimin e Superkupës së Europës në stadiumin “Air Albania”. Me anë të njoftimit të bërë nga FSHF, mësohet se gjithë energjia do të fokusohet për të organizuar finalen e Ligës së Konferencës, kompeticionit të ri të krijuar nga UEFA. Kështu, FSHF synon që në “Air Albania Stadium” të luhet finalja e parë e Conference League, ndërsa vendimi për përzgjedhjen e stadiumit do të merret në fund të këtij viti. Njoftimi i FSHF: Federata e Futbollit shton përpjekjet dhe fokusohet për të sjellë finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë, tërheq kandidaturën e organizimit të Super Kupës Europiane Federata e Futbollit, duke i dhënë përparësi organizimit të finales së një kompeticioni të ri europian në Tiranë që do të ketë një vëmendje të madhe kontinentale, ka vendosur të fokusohet në kandidaturën e saj për të sjellë në Air Albania Stadium finalen e Ligës së Konferencës (Conference League) për vitin 2022.

Duke i dhënë prioritet absolut këtij eventimenti sportiv dhe për të garantuar më shumë mundësi akordimi, FSHF ka tërhequr kandidaturën si vend kandidat për të organizuar Super Kupën Europiane. Vendimi lidhur me finalen e Ligës së Konferencës të vitit 2022, do të jepet në muajin dhjetor të këtij viti nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. FSHF rikonfirmon se mbetet fuqimisht e angazhuar për të sjellë në Air Albania Stadium për sportdashësit shqiptarë dhe të huaj, evenimente sportive të nivelit të lartë, duke e futur kryeqytetin tonë në hartën e futbollit elitar europian.

Më herët, Federata Shqiptare e Futbollit kishte kandiduar dhe dy herë të tjera pranë UEFA-s për të organizuar Superkupën e Europës. Mirëpo, kandidatura nuk ishte përzgjedhur për shkak se stadiumi i ri kombëtar ishte ende në fazë ndërtimi. Megjithatë, duket se gara për të organizuar një kompeticion si Superkupa e Europës është e vështirë, ndaj duket se FSHF do të synojë të jetë në garë për një tjetër kompeticion tjetër të UEFA-s.