Nga Kimete Berisha

Na qitën n’mal. S’ju ka mbet gjë tjetër veç edhe me angazhu naj kushërinë të Trumpit me na thënë: ‘Kena me ua kthy Serbinë me ju ‘myt”

Kjo s’është më as politikë.

Kjo oj zemër tregon se Ti ke punë me njerëz të thjeshtë dhe të drejtpërdrejt, që e përdorin ushtrinë për qëllime të fushatës së tyre politike dhe e trembin Kosovën thjesht për interes personal.

Dije sa rrezik është puna, kur e dëgjon kah flet Trumpi Junior për Kosovën.

Kur djali i Presidentit amerikan kërkon që ushtarët amerikanë të largohen nga Kosova, është njësoj si me dhënë mendime superiore Endriti (më fal djalosh që po ta përmendi emrin) dhe për shembull me kërku m’i ja respektu Kosova babën e mos me ja kthy fjalën, se përndryshe vjen na ‘rreh’ me 650 shokë ose nëse nuk i gjen gjithë ata shokë, me na kërcënu se do ta braktis Kosovën.

Po na ndodhin dy të ‘kqija’ përnjëherë.

Hashim Thaçi po na prish me Gjermaninë e me Francën.
Albin Kurti po na prish me Familjen Trump.
Hashim Thaçi sot foli aq keq dhe me aq përbuzje

për Evropën, me aq arrogancë foli kundër BE-së, thuajse Kosova është superfuqi…

kjo nuk ka shpjegim logjik.

Nga po i vjen gjithë ajo forcë?

Kush e ka trimëruar t’i quaj Merkelin e Macronin dështakë, dhe cili është qëllimi i tij final?

Hashim Thaçi sot tha se është shumë i zhgënjyer me Merkelin (e cila, ia pat ndaluar ta heq Perandorinë Osmane si pushtuese nga Librat e Historisë, qysh i kishte premtuar Hashimi-Erdoganit).

Në anën tjetër, Albin Kurti ka shti kry’ me një njeri që nuk ia ndin për asgjë dhe për askënd në botë.

Pra, ka punë me dikë që nuk ndjen, as frikë, as turp, as keqardhje. Ndjen veç dashuri dhe atë dashuri e ka të orientuar kah vetvetja.

Duke dashur të mbrohet nga Serbia, Albin Kurti u bë ushtar i Ramush Harandinajt.

Nuk e kuptoj ‘pse’.

Pse nuk e shpiku një ‘armë’ të veten por e përdor ‘armën’ e zbrazur të Haradinajt, ‘armë’ e cila e çarmatosi Ramushin.

Taksën ndaj Serbisë më së shtrejti (më shtrenjtë se Serbia) e ka paguar Ramush Haradinaj.

Dhe, edhe më shtrenjtë se Ramushit, po i kushton Albin Kurtit.

Albini shërbehet me ‘taksën’ shkarant të Ramushit dhe nuk na tregon se si do ta kishte ‘kushtëzuar’ Serbinë me reciprocitet nëse nuk do ta kishte gjetur të gatshme taksën.

Tash kur familja Trump janë bërë ‘avokaturë’ e Serbisë për taksën, Serbia po pushon, e Kosova po frikësohet nga braktisja.

Sot më shumë dëgjon shqiptarë që frikësohen se mos po shkon Amerika sesa shqiptarë që frikësohen se mos po ‘vjen’ virusi i vdekjes në Kosovë. Pra, më shumë ndjehet frika nga braktisja e Amerikës sesa nga vdekja.

Kaq larg ka shkuar frika jonë.

Serbia, lëre që na e ‘mori’ edhe Amerikën e Trumpit, por mund të ndodh t’i bind edhe shqiptarët të fillojnë të mendojnë keq për veten.

Nëse e shtyn heqjen e taksës për një ditë tjetër, e shtyn veç në dëmin tënd.

Larg vjen Vjeshta në Amerikë. Duket edhe 100 vjet.

Deri atëherë, kështu identik si me taksën do të ndodh edhe me marrëveshjen finale me Serbinë.

Njëri Trump (cili prej tyre do të jetë më i pushueshëm e do të ketë nge) me qetësinë më të madhe, për s’ungjti do të na kërcënojë se do të largohen ushtarët amerikanë nga Kosova nëse nuk nënshkruhet ndarja e Kosovës….

e ne dimë të jetojnë pa Kosovën, por s’dimë të jetojmë pa Amerikën.

Gjynah.

Nejse, Hamzë Engelsi, Agon Marksi, Lenini, burri i Albulenës, ajo Nagavci e këta po, këta dinë me jetu n’robni. Po, ne qyqarët, jo.

Unë bile kam kujtuar se janë më së paku 10 mijë ushtarë amerikanë, se me pas ditë se janë veç 650, s’më kish marrë gjumi natën.

Komandantëve nuk u ka mungu patriotizmi, m’u pyet ata sot deri te molla e kuqe do të ishte kufiri i Kosovës, por ja që Liria ka çmim edhe më të madh se gjaku.

Sidomos kur Liria s’është qind për qind ‘prodhim vendor’.

E s’është e mundur që Liria e Kosovës kushton sa një taksë.

Frika e madhe vlen për gjëra të mëdha.

Pra, si duket, na pret ndarja.

P.S. Taksën hiqe.

Fati yt i mirë, shumica e shqiptarëve po të thonë ‘Po’.