Këshilltari i Partisë Demokratike, Martin Henze, ka reaguar në një postim që Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë në Twitter, në lidhje me shërimin e dy personave të parë të prekur nga Covid-19.

Ajo që bie në sy në komentin e këshilltarit Henze, është që ai është në një linjë me një mesazh që pak ditë më parë iu dërgua në celular, moderatores Eni Vasili.

Pasi kërkon që doktorët të mos lihen vetëm, “siç po ndodh në Itali”, Këshilltari i Lulzim Bashës kërkon një ekip ekspertësh dhe… “një qeveri tranzitore”.

Një mesazh ky shumë i ngjashëm me atë që kërkohej pak ditë më parë në mesazhin dërguar Eni Vasilit, dhe që Partia Demokratike e përgënjeshtroi përmes një shkrese të Vodafone.

Ndërkohë që në mesazhin që moderatorja Vasili tha se i vinte direkt nga Lulzim Basha, pyetej kryeministri “a largohesh ti që ta marrë unë drejtimin e qeverisë”, Henze kërkon që të largohet qeveria në mesin e kësaj krize për të krijuar një qeveri tranzitore. Në komentin e tij në Twitter, këshilltari Henze nuk e sqaron se kush do të jetë në krye të qeverisë tranzitore.(Tema)