Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar ka dhënë një mesazh sensibilizues për të gjithë shqiptarët.
Ai ka theksuar se sprovat kërkojnë durim dhe se durimi është cilësi e besimit mysliman.
Sipas Spahiut duhet të shprehim dashurinë për prindërit tanë dhe të afërmit e moshuar, duke u shërbyer atyre dhe duke u plotësuar të gjitha nevojat pa patur nevojë që të dalin nga banesat e tyre.
Postimi i plotë:
Motra dhe vëllezër, ashtu si e gjithë bota, edhe vendi ynë, është duke kaluar një sprovë ditët e fundit për shkak të virusit COVID-19!
Të gjithë e dimë se sprovat kërkojnë durim! Durimi është cilësi e besimit tonë! Më të sprovuarit ndër njerëzit kanë qenë profetët e Zotit. Ata i kanë kaluar me sukses sprovat e tyre të vështira. Edhe ne na këshillon Zoti që të ndjekim shembullin e tyre.
Ne nuk jemi vetëm në këto ditë të “jashtëzakonshme” që po kalojmë. Në këto ditë, përveç zbatimit me përpikmëri të rregullave që na porositin mjekët, unë ju lutem që t’i përdorim edhe për të përfituar shpirtërisht prej tyre me lutje dhe durim.
Jeta e çdo njeriu është e shenjtë dhe ne jemi të obliguar të mbrojmë shenjtërinë e jetës si një amanet i dhënë nga Zoti.
Ky virus nuk përhapet vetvetiu, por jemi ne që e përhapim me kontaktet që kemi me njëri-tjetrin në rrugë apo në ambiente të ndryshme.
Fatkeqësisht mënyra e vetme për ta parandaluar, sipas ekspertëve të mjekësisë është qëndrimi në shtëpi, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve, me shpresë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.
Natyrisht kjo situatë e jashtëzakonshme ka nevojë edhe për një solidarizim të jashtëzakonshëm me të gjithë njerëzit në nevojë, duke filluar nga njerëzit tanë më të afërm, komshinjtë dhe më gjerë.
Ta shprehim dashurinë për prindërit tanë dhe të afërmit e moshuar, duke u shërbyer atyre dhe duke u plotësuar të gjitha nevojat pa patur nevojë që të dalin nga banesat e tyre.
Duke falënderuar të gjithë mjekët dhe infermierët që janë në frontin e parë të kësaj beteje për punën dhe sakrificën e tyre, lusim Zotin për shërim sa më të shpejtë për gjithë të sëmurët!
E lusim Zotin të na bëjë solidarë dhe të dashur me njëri-tjetrin në këto ditë!
E lusim Zotin që kjo situatë të kalojë sa më shpejt!