Nje dite pasi Kuvendi votoi rrezimin e qeverise se tij, reagon Albin Kurti. Me nje shenim ne Facebook, ai shkruan se “ishte rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”.

Sipas tij, kuptimi i mosbesimit ishte porosia e emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Sipas kryeministrit në detyrë, me votimin dje, u kuptua se 80 deputetë janë të gatshëm për një marrëveshje për shkëmbim të territorit të Kosovës, që Kurti beson se është arritur mes Presidentit të Kosovës dhe të Serbisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i rrëzuar me 82 vota pro, shkruan se “ne do të fitojmë” dhe “e ardhmja është e jona”.

Reagimi i Albin Kurtit

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.

Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.