Duke filluar nga dita e premte shërbimi i Urgjencës Kirurgjikale dhe kirurgjitë e patologjive malinje në QSUT do të transferohen në Spitalin Universitar të Traumës. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli në një komunikim me publikun. “Në zbatim të plani të veprimit të miratuar nga Komitetit Teknik dhe Task Forca, sot ne kemi vendosur që për të lehtësuar kapacitetet e QSUT, për të krijuar zonat sanitare të sigurta për pacientët të cilët trajtohen në spitale jo për COVID-19, që shërbimi i Kirurgjisë së Urgjencës dhe ndërhyrjeve Kirurgjikale për patologjitë malinje, përkatësisht Klinikat 1, 2 dhe Urologjisë në QSUT, të transferohen në Spitalin Universitar të Traumës, duke filluar nga dita e premte, datë 20 Mars”, bëri të ditur Manastirliu.
Duke falenderuar mjekët dhe infermierët që me profesionalizëm dhe përgjegjësi po trajtojnë pacientët sipas protokolleve të mbrojtjes personale, Manastirliu tha se kemi kapacitetet për të pajisur ekipet mjekësore me mjete të mbrojtes personale.
“Lajmi i mirë është se 27 mjekë dhe infermierë të spitalit të Fierit kanë rezultuar negativë për COVID-19 dhe këtu kam një falenderim të veçantë për çdo mjek dhe infermier që me përgjegjësi e profesionalizëm po ndjek rregullat e mbrojtjes personale. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar stokun e nevojshëm të materialeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe brenda javës presim dërgesën e rradhës, ndërkohë që theksoj se personeli është është i pajisur me mjetet mbrojtëse personale në shërbimin shëndetësor. Paralelisht po punojmë për shtimin e numrit të respiratorëve në strukturën e Reaminacionit. Ndërkohë, është dyfishuar kapaciteti i respiratorëve në Spitalin Infektiv në QSUT”, tha ministrja. Manastirliu bëri të ditur gjatë komunikimit me publikun se, dje sërish Laboratori i Virologjisë në ISHP që kryen analizat për COVID-19 është furnizuar me një sasi tjetër të konsiderueshme të kiteve shtesë. Duke vlerësuar punën e jashtëzakonshme që po bëhet nga mjekët e spitalit Infektiv, Manastirliu deklaroi se brenda 24 orëve të ardhshme do të kemi përgjigjen përfundimtare të testit për kontaktin e parë të pacientit zero, për të konfirmuar përfundimisht mungesën e pranisë së COVID-19 në organizmin e tij.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se po punohet për një plani social në ndihmë të të moshuarve, familjeve në ndihmë ekonomike dhe për personat me aftësi të kufizuara. Për të moshuarit do të mundësohet ofrimi i shërbimeve të nevojshme në banesë, ndërkohë që dhe medikamentet do t’u dërgohen në shtëpi. “Për të moshuarit mbi 65 vjeç, që nuk kanë familjarë apo fëmijët afër, do t’u mundësohet sipas një plani me mjekun e familjes dhe farmacistin ku shërbehet, ofrimi i medikamenteve në banesë”, bëri të ditur Manastirliu. Në fund të komunikimit të saj me publikun, Manastirliu ka bërë thirrje për qytetarët që të zbatojnë rregullat e përcaktuara duke theksuar se distancimi social është strategjia më e mirë për të fituar këtë luftë. “Distancimi social dhe izolimi që po përjetojmë në këto ditë ka rezultuar strategjia më e mirë në vende ku është zbatuar, për të lehtësuar punën që po bëjnë stafet tona në sistemin shëndetësor. Ne e kemi ndërmarrë në kohë këtë masë që edhe vende të tjera janë duke e bërë. Jemi duke u përpjekur maksimalisht që me kapacitetet që kemi të bëjmë më të mirën”, bëri thirrje Manastirliu.