Tanush Çaushi/

Sot në Shqipëri është festa e mësuesit. Mësuesi është qenia nga më të pavlerësuarat ekonomikisht në Shqipëri. Përveçse mos vlerësimit monetar, tashmë mësuesi është zhvlerësuar shumë dhe ka rënë edhe si autoritet.

Nuk kursejmë asnjëherë të prodhojmë ligje që mbrojnë të drejtat me pashë të nxënësit, por asnjëherë të mësuesit.

Kështu nxënësi ka të drejtë të jetë paedukatë, me thika në xhep dhe të pijë hashash, por mësuesi duhet vetëm të qëndrojë gatitu dhe as mos të flasë. Mësuesin e filmojnë kamerat e telefonit dhe emisioneve vëzhguese në rast se ai reagon ndaj ofendimeve të nxënësit. Më pas pseudomediat i bëjnë “fletërrufe” dhe gjyq para popullit.

Kujt duhet ti flasë mësuesi që në shkollë ka kontigjent krimi, kur as polici në dispozicion nuk ka shkolla? A duhet të kryejë dhe rolin e policit?

Çfarë programi për figurën e mësuesit ka qeverisja e majtë? Çfarë programi ka opozita e djathtë? Nuk na e kanë thënë kurrë. S’ besoj se u ka shkuar mendja.

Nëse pranojmë se është një punë që prodhon intelektualët, profesorët, doktorët, inxhinierët, pushtetarët dhe praktikisht gjithë zhvillimin, atëherë përse marrin rrogë sa kushton një çantë krahu e një politikaneje dhe ora e dorës?

Me nderime të mëdha u shprehën që të gjithë aktorët më të mëdhenj politikë dhe shtetërorë për figurën e mësuesit.

Po të dëgjosh gjitë këto deklarata të ngjajnë me dekoratat që shpërndajnë presidentët shqiptarë ndër vite.

Veteranët e varin dekoratën në xhaketë dhe e nxjerrin muajin me një kapshore bukë që ka mbetur në dyqan. Mësuesit i dridhet dora të hajë një drekë me rastin e shtatë marsit.

Mësuesit, këta ushtarë të bindur të zbatimit të rregullave dhe moralit shoqëror nuk ndalin as hapat dhe as fjalët për të na dhënë dije.

Po më tej, të dashur lexues?

Përpiqen me mish e me shpirt që shoqëria të zhvillohet dhe fëmijët të edukohen.

Prodhojnë intelektualë të fushave të ndryshme

Këta “fëmijë të prapë” kalojnë me fuoristrada dhe me makina që kushtojnë sa një shtëpi dhe shtojmë shpejtësinë për ti baltosut këta këmbësorë me trurin plot.

A ka ardhur koha e stërkaluar të bëhet një ligj për statusin e mësuesit social dhe financiar?

Ndoshta kur të zgjidhim punët e revolucioneve botërore do kujtohemi për këtë shtresë kaq vitale të shoqërisë.

Gëzuar mësuesë dhe mësuese të dashur, 7-Marsin!