Alfred Peza

Çdo situatë e jashtëzakonshme, nuk përballohet asnjëherë në mënyrë të zakonshme, ndaj ato janë të prirura që të nxjerrin gjithmonë në pah, vlera e virtyte njerëzore e profesionale që nuk ekspozohen publikisht në kohëra të zakonshme. Kjo që po përjetojmë në periudhën e koronavisurit, është edhe më shumë se e jashtëzakonshme, sepse është një luftë unike. Është lufta e parë e këtij lloji, në historinë e botës moderne dhe të brezave që po e jetojnë atë, jo vetëm në Shqipëri.

Ndaj këto ditë kanë e do të kenë edhe heronjtë e vet. Ata janë mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli i sistemit shëndetësor të vendit, që ndodhet në vijën e parë të frontit, për tu përballur me sëmundjen e quajtur COVID- 19. Por në veçanti janë ata që i trajtojnë drejtpërsëdrejti të prekurit; punonjësit e spitaleve e reparteve të sëmundjeve infektive. Sepse janë ata që i trajtojnë direkt pacientët që kanë rezultuar, apo që mund të rezultojnë pozitiv edhe në të ardhmen, në një beteje që nuk pritet të jetë aq e shkurtër sa mendohet sot.

Këta drejtues e punonjës të sistemit tonë shëndetësor, janë cilësuar heronj orët e fundit jo vetëm nga të sëmurët e të afërmit e tyre, qytetarët shqiptarë dhe gazetarët, por edhe nga politika. Çuditërisht pas kësaj, pjesë e këtij përcaktimi janë bërë edhe liderët e opozitës shqiptare, të cilët deri dje nuk lanë rast e ditë pa u përfshirë në një betejë të paprinciptë e të padëgjuar të luftës së vet politike, kundër mazhorancës qeverisëse, ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryeministrit Edi Rama në lidhje me masat e mara për pandeminë globale të koronavisurit.

Fillimisht lidershipi i opozitës sonë nisi një betejë të pashembullt e kriminale shpifjesh, lajmesh të rreme dhe disinformimi e cila më së shumti synonte përhapjen e panikut mbi qytetarët. Kishte një zell të paduruar dhe një presion të jashtëzakonshëm që në krye të herës, për të kërkuar e shpallur qytetarë të prekur nga koronavirusi edhe në Shqipëri, a thua se ishin në kërkim të tokës së premtuar. Më pas, kur ajo ditë ashtu siç edhe pritej erdhi, kaluan në një skenar të ri.

Atë ditë kur u deklaruan zyrtarisht të prekurit e parë, veshën lëkurën e engjëllit, duke kërkuar publikisht solidaritet për të përballuar situatën. Një maskë që u hoq vetëm pak orë më pas, kur krijuan krahas asaj shtetërore, një Task Forcë në selinë e PD dhe një tjetër në selinë e Presidencës. E kur nisën krahas kësaj fushatën, për ti cilësuar paisjet mbrojtëse të mjekësisë si të rrezikshme, përmes manipulimit të fakteve përpara opinionit publik. Ndërsa mbremjeve u kujdesën që të çonin nëpër banaqet televizive, doktorët e partive të tyre, të cilët vazhdonin lojën e shefave politikë përmes fjalorit mjekësor.

Më pas nxorën militantë partiakë me bluza të bardha që të deklaronin se personeli ishte i papajisur me mjete speciale për ta përballuar situatën. E kur e gjitha u hodh poshtë me prova e fakte, tentuan që ti përçanin personelet duke dashur të krijojnë nëpër spitale dy grupe mjekësh e infermierësh: Profesionistët nga njëra anë dhe militantët e PD e LSI në anën tjetër, të cilët tentuan ti kundërviheshin kolegëve të tyre që po i nënshtroheshin betimit të Hipokratit, përmes lojës së tyre hipokrite.

Kur edhe kjo lojë dështoi, për shkak të presionit në rritje të opinionit publik shqiptar që refuzoi me neveri të mbështeste lojën politike me vdekjen që po tentonin liderët e opozitës sonë, atëherë e ndërruan pllakën. Vetëm pas kësaj për herë të parë përshëndetën, mbështetën, i falenderuan dhe u solidarizuan me punën e mjekëve, inferimierëve dhe personelit të spitaleve tona, duke i cilësuar edhe ata si gjithë ne të tjerët: Heronjtë tanë!

Ky është treguesi më i qartë, se çfarë është në gjendje që të bëjë një pjesë e elitës sonë politike në opozitë, për ca vota më tepër. Janë gati që të bëjnë lojëra deri edhe me vdekjen në kurriz të qytetarëve të vendit të vet, duke patur parasysh në radhë të parë jo shëndetin dhe jetën e tyre, por fushatën elektorale të radhës.

Të njëjtën gjë bënë me policët gjatë “revolucionit popullor” të molotovëve për 30 Qershorin. Të njëjtën lojë me punonjësit e emergjencave civile kur ra tërmeti i 26 nëntorit. Të njëjtën me zjarrëfikësit gjatë ditëve të nxehta të verës të mbushura me zjarre. E kështu me radhë. Duke krijuar në këtë mënyrë një kulturë të dëmshme sjelljeje në opozitë, sipas së cilës mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit, gazetarët, naftëtarët e çdo profesionist tjetër i këtij vendi, është hero vetëm kur i duhet politikës për lojërat e saj dhe jo atëherë kur ata e meritojnë vërtetë.

Kur kjo lloj sjellje, kjo lloj qasje dhe ky reagim bëhet në kulmin e kohës së luftës si kjo kundër Covid- 19, imagjinoni se çfarë mund të presin ata dhe gjithë kategoritë e tjera shoqërore të Shqipërisë, në periudhat e qeta apo në periudhën kur opozita e sotme, të jetë nesër në pushtet