NGA FATON MEHMETI/

Nga mesi i javës që lamë pas, situata politike në vend ka marrë kthesa të mëdha, që askush nuk do ta mendonte dot. Pas shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, pasuan vendimet e LDK-së për të iniciuar mocionin e mosbesimit të qeverisë Kurti. Në javën që po hyjmë Kosovën e presin sfida të vështira: Në njërën anën luftën kundër pandemisë Covid 19, dhe mundësinë për t’u thirrur seanca për mocionin e iniciuar nga LDK. Nuk dihet se çfarë do të ndodh, ose më saktë se a do të ndodh zhvillimi i seancës për mocionin për shkak të kushteve dhe qëndrimit të distancës, që vështirëson të mbahet një seancë e tillë në këto kushte. Pavarësisht se a mbahet tani apo pak më vonë LDK duket se i ka numrat e nevojshëm për të rrëzuar qeverinë Kurti. Në një situatë të tillë, kur e pritshim duket e pashmangshme, mundësia që vendit të shkojë prapë në zgjedhje gjithashtu është e madhe. Nëse nuk ndodh ndonjë e papritur që VV dhe LDK të pajtohen dhe mocion mos të kaloj fare në kuvend, atëherë duhet pritur edhe gjatë për kalkulimet, në të kundërtën nëse nuk ndryshohet diçka dhe mocioni kalon, atëherë partitë politike duhet të përgatiten për zgjedhjet. Të bëjnë kalkulimet e tyre, e të cilat shpesh herë edhe i kanë befasuar. Para pak muajsh, konkretisht me 6 tetor të vitit të shkuar, rezultatet ishin këto. Lëvizja Vetëvendosje ka 26,270 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 24,548 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 21,234 për qind, koalicioni AAK-PSD ka 11,515 për qind, Lista Serbe 6,402 për qind dhe koalicioni NISMA-AKR-PD 5,002 për qind. Ndërkohë numrin e deputetëve që kanë siguruar partitë politike në zgjedhjet e 6 tetorit janë këto: Vetëvendosje ka 29 ulëse, LDK ka 28 ulëse, PDK ka 24 ulëse, koalicioni AAK-PSD ka 13 ulëse, Lista Serbe ka 10 ulëse, koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 ulëse. Nisur nga kjo mund të thuhet se mundësitë për një koalicion PAN janë të mëdha, të cilat e dinë se të ndara s`kanë mundësi që të dalin para VV dhe LDK, në anën tjetër këto dyja prapë do të luftojnë për pozitën e parë.

Nisur nga kjo logjikë është e pakuptueshme që t’i jepet përsëri mundësi PAN të kthehet në pushtet, kur tashmë edhe dihet se VV nuk sheh tjetër aleat pos LDK në koalicion. Në këtë situatë rrezikojmë të futemi në një spirale të pamundësisë për të formuar institucione dhe vendi të shkoj prej zgjedhjeve në zgjedhje, duke rënduar edhe më shumë situatën politike në vend. Ndonëse secili nga partitë po t’i pyesësh sot thonë se në rast se shkohet në zgjedhje do të fitojmë, një mister që nuk dihet me votën e fshehur të qytetarit. Partitë edhe mund të fitojnë, por Kosova vështirë të fitojë nga krizat, nga paqëndrueshmëria politikë nën mallkimin mistik të mos çuarjes mandatin e plotë qeverisës.

Disponimi qytetarë nuk është për të shkuar në zgjedhje, por nëse nuk ka rrugë tjetër atëherë kjo mbetet e vetmja zgjidhje. Në këtë situatë askush nuk e di me saktësi se kush mund të fitojë e kush jo, koalicionet parazgjedhore të mëdha mund të jenë përcaktuese të fituesit. Në këtë sens partitë politike, sidomos VV dhe LDK duhet të kenë të qartë se PAN mund të bashkohet dhe të vjen prapë në pushtet.

Duke gjykuar situatën në syrin e njeriut që dëshiron dhe është i prirë për të besuar se Kosova duhet të jetë e para, pastaj të tjerat, dua të besoj se vendi ynë s`do të futet në rrugë pa krye. Në situatën aktuale e rëndësishme është shëndeti i njeriut, para çdo gjëje tjetër, sidomos partitë. Gjithsesi nëse zgjedhjet afër si mundësi e vetme, me të drejtë shtohet pyetje se a do të përsëritën prapë rezultatet e 6 tetorit, apo elektorati ka lëvizur, a thua kush do të fitojë?