Nga Enver Robelli/
Kjo gara se kush është “më pro-amerikan”, është gara më e ndyrë që e zhvillojnë politikanët e Kosovës.
Pro-amerikanizmi më i pastër është mos të lejosh që në pushtet të vijnë politikanë që vjedhin vendin. Në Kosovë qe 20 vjet qeverisin, kryesisht, vjedhësit.
Andaj, sa herë që acarohet gjendja politike, vjedhësit më të mëdhenj të këtij vendi dalin e bërtasin se janë “pro-amerikanë”, mes tyre edhe politikanë që janë në lista të zeza të Amerikës për vepra heroike të pasluftës – siç janë vjedhja e pasurisë publike, keqpërdorime të llojllojshme, manipulim tenderësh, vrasje e shumë të zeza të tjera.
Entuziasmi fluturues edhe i krerëve të LDK-së se tash u sqaruan krejt punët, u hoqën krejt dilemat dhe krahëhapur e të gëzuar mund të presim marrëveshjen me Serbinë, tregon joseriozitet kolosal në punët politike.
Asgjë, ama bash asgjë nuk është sqaruar. Sepse asgjë nuk është ndarja çka është detyrimi i Kosovës të pranojë një “republikë serbe” brenda saj.
Asgjë nuk është ndarja çka është lejimi i Serbisë që të bëhet bashkëadministratore e Kosovës.
Asgjë nuk është ndarja çka është defunksionalizmi i mëtutjeshëm i shtetit të Kosovës.
Kur për 12 vjet me radhë nuk ke kurrfarë politike shtetërore, por vetëm vrapim pas agjendave të të tjerëve, atëherë argumenti i vetëm dhe më i pabesueshëm politik mbetet ky: “Unë jam pro-amerikan”.
Po aq sa janë “pro-amerikanë” këta politikanë janë edhe “pro-europianë”: nënshkruajë marrëveshje me Serbinë në Bruksel dhe janë aq të bindur se kanë bërë punë të mëdha, por kur kthehen në Prishtinë Gjykata Kushtetuese gati tërë marrëveshjen e hedh në ajër si antikushtetuese.
Të tillët, pra këta shkelës të Kushtetutës, sot na shesin mend me fraza “proamerikane” dhe flasin në emër të LDK-së.
A e merr guximin ndokush nga LDK, PDK, AAK apo Nisma të pyesin Richard Grenellin: “Mirë, krejt në rregull, ne e duam pa fund Amerikën, por a bën, aman, vetëm një kërkesë t’ia bëni Serbisë, nuk po kërkojmë shumë, nuk po kërkojmë as të na njoh, vetëm të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës…
S’ka problem, të tjerat i durojmë nga Serbia”. Edhe në politikë duhet pak dinjitet. Një grimë.
Po mos prit dinjitet nga njerëz që në një shtet funksional do të ishin në burg për vjedhje të shtetit.