Dy pacientë, kontakte të rastit zero të cilët pas ritestimit të dytë dolën negativë, po bëhen gati të lënë spitalin. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një lidhje direkte me mjekët e infektivit ka ndarë lajmin e mirë me publikun.
“Sot jemi shumë të gëzuar sepse kemi dy qytetarët që i kemi gati për t’i nxjerrë nga spitali. Gëzimi është dypalësh, edhe për ata vetë që u shëruan, dhe e dyta edhe për ne që na gëzon që puna e kryer deri tani na dha dy rastet e suksesshme. Sigurisht që kemi pritje edhe për punë më të mira, por të gjithë do të bëjmë maksimumin e mundshëm për t’u shërbyer deri në fund”, tha prof. Najada Çomo, shefe e shërbimit infektiv në QSUT.
Mjekët konfirmuan gjithashtu se dy nga pacientët në terapinë intensive janë në gjendje pak më të mirë.
Ndërsa mjekët e infektivit që janë në krye të detyrës apeluan që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi si e vetmja menyrë për të fituar këtë luftë, Manastirliu i falenderuar për punën heroike që ata po bëjnë.
“Unë dua që t’iu inkurajoj dhe t’iu përqafoj fort nga larg. Fizikisht jemi larg, por me zemër dhe me mendje jam aty, dhe jemi bashkë. Shpresoj shumë që edhe kjo ditë të kalojë mirë, sepse jemi duke monitoruar çdo ditë përpara të panjohurave të mëdha që ka ky virus. Ndaj vetëm me forcën tuaj, profesionalizmin tuaj mund ta përballim, por gjithashtu edhe me mbështetjen, edhe me bashkëpunimin e gjithë qytetarëve. Unë ju falenderoj fort dhe gjithashtu edhe ekipin tjetër të mjekëve dhe infermierëve që janë në shërbim sot dhe do të dëgjohemi sërish nesër si gjithmonë. Punë të mbarë!”, tha Manastirliu.