Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar emergjencën kombëtare pas pandemisë së Koronavirusit që ka marrë mbi 5000 jetë në të gjithë botën. Në fjalën e tij sot, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se veprimet e radhës të tij do të vënë në dispozicion 50 miliardë dollarë në luftën kundër virusit vdekjeprurës.
Në SHBA ekziston një shqetësim i vazhdueshëm në lidhje me disponueshmërinë e testeve për Koronavirusin. Trump tha se ekipi i tij pret “gjysmë milioni teste shtesë që do të jenë në dispozicion në fillim të javës tjetër”. “Do të vijnë ndoshta 1.4 milionë teste javën e ardhshme dhe pesë milionë në muaj. Qëllimi ynë kryesor është të ndalojmë përhapjen e virusit”, tha Trump.
Vendimi i presidentit vjen pasi shumë institucione publike dhe private kanë ndërmarrë veprime – duke përfshirë anulimin e ngjarjeve madhore, ndalimin përkohësisht të tubimeve të mëdha, mbylljen e shkollave dhe duke u thënë njerëzve që të punojnë nga shtëpia – në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Shtetet e Bashkuara që nga e premtja kishin tejkaluar 1.700 raste të konfirmuara me Koronavirus dhe numri i vdekjeve ka shkuar në 41. /NBCNews