Kryeministri Edi Rama kërkon nga Bashkimi Evropian që mos të vonojë me procedurat për dhënien e fondeve të përcaktuar nga Konferenca e Donatorëve për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas kryeministrin prioritet do të kenë familjet në fshat që kanë humbur banesat individuale dhe shkollat, më pas do të përqëndrohen në zonat urbane.
“Dështimi është diçka që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin e rindërtimit, suksesi duhet të jetë kryefjala. Jam i sigurt që do të bëjmë realitet duke presupozuar që BE të jetë më i shpejtë se zakonisht në kuptimin e nevojës për të dhënë rezultate më shpejt, sepse është një program ku koha është thelbësore. Njerëzit nuk mund të presin gjatë. Procedurat natyrisht duhet të respektohen, por ndonjëherë janë kaq të gjata që natyrisht mund të përballohen kur bëhet fjalë për projekte të tjera, por jo kur bëhet fjalë për shtëpitë dhe shkollat. Pra synimi është që ti kthejmë nën çati ato persona që kanë humbur shtëpitë individuale dhe që të festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre. Duam që fëmijët të shkojnë në shkollë në fillim të vitit shkollor. E di që është ambicioze do të bëjmë gjithçka që ta bëjmë realitet, por jo më vonë sesa ky vit. Po kështu të fillojmë hap pas hapi me ato zona më të ndërlikuara me ndërtesa banimi me shumë apartamente në komunitete urbane”, shprehet Rama.
Rama garantoi vendet që kanë dhënë kontribut në procesin e rindërtimit, që jo vetëm fondet e tyre do të shpenzohen në mënyrën e duhur, por edhe ato të tatimpaguesve shqiptarë. Për këtë ai kërkoi më shumë monitorim nga Bashkimi Evropian. “Nuk dua që ju thjesht të siguroheni që paratë e tatimpaguesve tuaj apo e kontruibuesve tuaj të shpenzohen në mënyrën e duhur, por dua po kështu përmes këtij komitetit të garantoj që edhe paratë e tatimpaguesve shqiptarë të shpenzohen në mënyrën e duhur. Për këtë arsye do të përgëzojë qeverinë e SHBA që ka pranuar të marrë parasysh propozimin që unë kam bërë për të ngritur akademinë e transparencës. Do të doja të shihja edhe BE të bënte të njëjtën gjë për të shtuar ekspertizë, për të shtuar sy e monitorim procesit të ekzekutimit të shpenzimeve, qysh nga procesi i tenderimit deri tek procesi i mbikëqyrjes dhe marrjes së produktit”, nënvizon Rama.