Nga Mira Kazhani/
Në portalin tonë lajmet mbi koronavirusin lexohen të gjitha me etje. Por këto ditë, veç klikimet që s’më gëzojnë si zakonisht, përkundrazi, dhembin. Janë klikime që në një kohë normale i sheh si armë që rrisin faqen, potencial influence, për rrjedhojë më shumë reklama. Por tani të rritet vetëm përgjegjësia, si edhe mërzia. Ti kupton se lexuesi yt besnik apo spontan është i trembur, i pasigurt dhe kërkon të kapet në një degë të sigurt, të lexojë diçka që i hyn në punë.
Ti, nga ana tjetër, duhet t’u thuash të vërtetën, të gjesh masën dhe të mos e shpartallosh e t’i shpëlash trurin me turli mesazhesh, edhe pse nuk i kemi shpëtuar ende plotësisht ish-vetvetes, ex-vetja, ex-media, sepse kam disa arsye të besoj që disa mënyra e modele në media pas kësaj lufte do kthehen në ex!
Tërmeti dhe tani Covid-i po na mësojnë si ndërtohet shtëpia, ku blihet ajo, çfarë është rihteri e çfarë ballët (deri vonë i ngatërronin njerëzit edhe gazetarët), sa kohë i duhet një virusi të shpërthejë, sa herë t’i lajmë duart, intubimi, maskat si dhe sa kohë i duhet një vaksine të zbulohet, epidemia dhe kriteret e pandemisë, por, por, por, më shumë nga të gjitha ne po zbulojmë si shoqëri që çdo fushë paska profesionistët e vet dhe populli kur e ka seriozisht jetën do të dëgjojë vetëm ata!
Doktor Pëllumb Pipero është sot për sot emri më i lexuar. Ndoshta se përveçse mjek epidemiolog, ka një karakter të drejtpërdrejtë, nuk i mbështjell me kujdes frazat, si mjekët e task-focës, të cilët ta pranojmë, janë edhe nën presionin e medias dhe skrupulozë për çdo fjalë që nxjerrin nga goja. Edhe pse sa herë që shoh Silvia Binon apo Mira Rakacollin shkruaj pa dyshim në respektin e reputacionin që kanë tek dy mjeke profesioniste. Jemi me fat që i kemi, ato dhe shumë të tjerë, mjekë e infermier që i kemi pa asnjë meritë politikash por për meritë të tyren.
Por Pipero shfaqet më shpesh dhe më i shkujdesur dhe i padëshiruar të ambalazhojë politikisht apo estetikisht mesazhet. Të zezës i thotë e zezë e të bardhës e bardhë dhe largohet me edukatë nga intervistat që jep.
Kështu pra, në #leksionetenjëvirusi këtë herë zbuluam se doktor Pipero është personazhi HIT në Tiranapost.al! Pas profesoreshës së tërmetit, Luljeta Bozos, që çmendi Shqipërinë me një kostum gri, thinjat në flokët e ndarë në mes, që na dukeshin prej ari, fjalëve pa shumë bojë, pa shumë sheqer e pa shumë helm, por me qetësi e njohuri, në kohërat e koronës, është një burrë, Luljeta e re!
Ai rri vëngër e ftohtë kur i flasin, përgjigjet shkurt, i drejtpërdrejtë dhe shpesh duket pesimist, edhe pse është vetëm realist doktor Pëllumb Pipero, që po të mos qe koronavirusi s’di nëse do kish pasur shans ta ftonin kaq shumë, ta transkriptonin si të ishte një star. Ex-ne as nuk do t’ia varnim, veç nëse do kishte nip Bradley Cooper!
Ç’t’iu them veçse të zezën mbi të bardhë që doktor Pipero ka lënë pas Hollivudin, horoskopin, Edin, Erionin, Ogertën, duke u bërë emri më i preferuar i këtyre ditëve për lexuesit.
#leksionetenjëvirusi. (TiranaPost.al)