Kryeministri Edi Rama ka falënderuar sot të gjithë ata që kanë zbatuar masat e vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërsa foli dhe për kritikat.
Ai tha se nga operacionet humanitare janë ndihmuar 14428 familje në nevojë.
“Po jepni një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë luftë ku mbarë njerëzimi ka vetëm një armë rezistencën e durimit. Kemi ndihmuar 14 428 familje më në nevojë. 11089 familje me ndihma ushqimore; 1203 familje me medikamente dhe 2136 të tjera për nevoja të tjera urgjente.
Nesër në 5 të mëngjesit do të rihapet qarkullimi për ata që do të shkojnë në punë dhe deri në 13:00 do të keni kohë plot. Shoh që po qaheni për oraret. Por nuk po kuptohemi akoma. Këto orare nuk janë as për qejf as për komoditet por nga nevoja për përballimin e një lufte.
Disa thonë të mbyllemi për 2 javë pa dalë asnjëri, por për të ngrënë si do ia bëjmë nëse nuk kemi mundësi të bëjmë Pazar. Pse të mos zbatojmë rregullat, pse të mos jemi rigorozë në këtë luftë. Nuk duam të zgjohemi herët që në 5-6-7 të mëngjesit dhe duam të turremi të tërë në orën 10 nëpër tregje, dyqane, kjo nuk shkon fare dhe ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi Rama.