Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se brenda javës që vjen hapet procedura ndërkombëtare për ndërtimin e 4 mijë shtëpive të para individuale për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga Thumana ku u paraqitën modelet e shtëpive që do të ndërtohen, ministri Ahmetaj theksoi se njësia zbatuese, që është Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke u kujdesur për planin e infrastrukturës për të zbatuar standardet më të mira.
“Ajo që dua të theksoj është se në të gjitha rastet kur ka patur fatkeqësi, qeveritë janë ofruar me një kombinim të kredive të buta me grantet. Kjo është hera e parë që një qeveri merr përsipër t’u jap qytetarëve të vet falas shtëpi pas një fatkeqësie natyrore. Nuk jemi vend i pasur, por si mazhorancë dhe si qeveri jemi të vëmendshëm ndaj halleve të qytetarëve”, deklaroi Ahmetaj.
Krahas 4 mijë banesave që do të jenë gati në fund të këtij viti, ministri Ahmetaj siguroi se do të hapet kantieri i ndërtimit edhe për 7600 banesa të tjera kolektive dhe për 1 mijë njësi banimi individuale në zona të grupuara, siç është Bubqi. “Punimet do të nisin brenda muajit maj. Brenda 2 viteve do të kemi një Shqipëri të re dhe zonat e ndërtuara do të jenë model”, u shpreh ministri.