Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pyetur sot nga mediat lidhur me idenë për shkëmbim me territore.
Para gazetarëve, i pari i shtetit, tha se e ka mision bashkëngjitjen e Preshevës dhe Bujanovcit me Kosovën.
“Unë e ndjej mision, bashkëngjitjen e Preshevës dhe Bujanovcit, por me territorin aktual të Republikës së Kosovës”, tha presidenti.
Mirëpo, ai ka mohuar se ideja e territoreve është diskutuar sot me liderët, apo gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara.
“Sa i përket takimeve tona sot dhe mundësisë që ju thatë për kompromise unë them që integriteti i Kosovës është i paprekshëm dhe askush nuk e ka përmendur në asnjë takim. Të gjitha ato që prezantohen poshtë e lartë prej kujdo qoftë vendor apo ndërkombëtar, opinonist apo kushdo që mund të jetë, është e paqëndrueshme krejt. Krejt e paqëndrueshme dhe është me kriju konfuzion në opinion, takimi në Washington ka qenë takim i vullnetit të mirë.
Nuk është diskutuar për substancë, është shprehur vullnet i mire për normalizim të raporteve, që do të shkonte drejt njohjes reciproke, çdo zgjidhje që arrihet do të bëhet duke respektuar kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.