Takimi në Uashington në mes presidentëve të Kosovë dhe Serbisë paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente, ai i bëri gjatë një debati në Prishtinë me temën, “Rruga drejt Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”.

“Jemi të angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme dhe paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje duhet të sjellë njohjen reciproke mes vendeve tona të pavarura e sovrane si dhe rrugëtim më të përshpejtuara për Kosovën në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha Thaçi. Ai u ndal sidomos në takimin që zhvilloi të hënën në Uashington me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi.

“Takimi i Uashingtonit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kri tike dhe pozitive që nën udhëheqjen e SHBA-së dhe lidershipit të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, theksoi Thaçi. Sipas tij, takimi në Uashington është inkurajues për të dy palët dhe “paraqet vullnet të mirë për paqe në Kosovë dhe Serbi dhe hapje e perspektivës ekonomike në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

“Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi presidenti i Kosovës. Ai tha po ashtu se është e rëndësisë jetike për procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, që të dy palët të kenë besim në lidershipin e SHBA-së deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Edhe pse po flasim për Kosovën dhe Serbinë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të paqes, mendoj se kjo marrëveshje do të ndikonte edhe në punën e Komisionit për të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Do të ishte hap normal që pas një marrëveshje të tillë të formohej edhe Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin”, tha Thaçi. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, ka folur në lidhje me takimin e Uashingtonit, duke hedhur poshtë, siç tha ai, disa informacione jozyrtare se Serbia ka rënë dakord me Perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës.

“Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rre me për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, tha Vuçiç. Ai përsëriti se kushti i tij është që të mos ketë bisedime thelbësore me Prishtinën, derisa të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave serbe.