Ministria e Shëndetësisë apel qytetarëve për të bashkëpunuar me autoritetet!
“Pacientja që ndodhej e izoluar në gjendje të rënduar në spitalin e Durrësit nuk mundi të mbijetojë si pasojë e komplikacioneve nga sëmundjet prej të cilave vuante prej kohësh”. Sqarimi u bë nga Zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në komunikimin me mediat duke deklaruar se pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor pacientja nuk ka mundur të mbijetojë.

“Konkretisht ishte e sëmurë që vuante nga insufiçenca kardiake e rëndë që në gjuhën mjekësore klasifikohet si NYHA3. Kishte prej shumë vitesh çrregullime të ritmit të zemrës. Kishte sëmundje kronike të mushkërive që në gjuhën mjekësore quhet Spok. Kishte hipertireozë ose një patologji të gjendrës tiroide dhe ishte një e sëmurë që kishtë kryer përpara disa vitesh edhe bajpas kardiak. Pra ishte tërësisht në grupin e atyre sëmundjeve të cilët siç ju kemi informuar kur preken nga koronavirusi janë ata që çedojnë më shpejt. Pavarësisht përpjekjeve maksimale që janë bërë nga ana e mjekëve të spitalit të Durrësit për ta mbajtur në jetë, pacientja nuk mundi që të mbijetojë.” tha Rakacolli.

Zv/Ministrja Rakacolli vuri theksin se qytetarët duhet të bashkëpunojnë me autoritetet për të zbatuar më përpikmëri masat e bëra publike urdhrat e firmosur nga ministrja Manastirliu. “Siç ju kemi informuar deri më sot ky është një virus që ashtu si gripi prek kryesisht moshat e mëdha dhe sidomos ato mosha që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike. Është shumë e rëndësishme që në këto momente, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të jenë bashkëpunues me autoritetet”, tha zv/ministrja Rakacolli.
Më hërët në një komunikim për mediat zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacoli bëri publike Urdhrin e ri të firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu për masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.