Disa prej bimëve medicinale që prodhohen në vendin tonë do të jenë të mbrojtura përmes patentimit me qëllim që komuniteti që i prodhon të jetë pjesë e menaxhimit dhe përfitimit nga ky biznes.

Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit, nga foltorja e kuvendit të enjten, prezantoi projektligjin e propozuar nga Ministria e drejtuar prej tij për “Për mbrojtjen e biodiversitetit”.

Ministri Klosi tha se ky projektligj vjen si përpjekje e Ministrisë për të standardtizuar problematikat me Bashkimin Europian dhe po ashtu në kuadër të gjithë marrëveshjeve që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka realizuar.

“Pr/ligji vjen në kuadër të gjithë plotësimit të legjislacionit në fuqi dhe për me shumë se kaq, për mbrojtjen e biodiversitetit”,- theksoi Klosi.

“Për sa i përket pr/ligjit në raportin me publikun, ashtu siç u diskutua edhe në komisionin e politikës së jashtme, mbron biodiversitetin shqiptarë, elementë të veçantë të tij dhe për të pasur mundësi që këto elementë të tij, në rast se do të tregtohen dhe do të futen në një menaxhim më të gjerë se sa menaxhimi standard i tyre, do të jenë të mbrojtura përmes patentimit shqiptarë dhe do të kemi mundësi që komuniteti në të cilat zhvillohet ky aktivitet do të mund të jenë pjesë e përfitimeve që vjen nga ky biznes”,- tha Klosi.

“Për të qenë më qartë, bëhet fjalë për ato specie të veçanta të biodiversitetit që në Shqipëri fatmirësisht janë me shumicë, ku më të njohura për publikun janë bimët medicinale. Disa prej tyre edhe pse janë prodhime të natyrës në rastin më të mirë dhe pse janë autentike, nga tregtia e tyre nuk përfiton komuniteti përkatës, prandaj përmes këtij pr/ligji hapet një mundësi e re që komunitetet në rast se do tregtohen bimë medicinale, autentike shqiptare, të patentuara si bimë shqiptare, do të kenë mundësi të jenë dhe pjesë e menaxhimit të brendshëm të jetës së komunitetit duke përfituar”,- u shpreh Klosi.

“Flasim për bimë si, rigoni, çaji i malit, sherebela, livanda…etj. Bimë që realisht janë unike dhe ku Shqipëria me shpejtësi po krijon një hapësirë të re në biznesin e këtyre bimëve medicinale, duke krijuar një pozicion lider në rajon”,- tha Klosi.

“Në kuadër të politikave të biodiversitetit është një pr/ligj kuadër që shkon si shtesë menaxhimit të kësaj situate. Pra, krijohet një mundësi e re për zonat rurale të vendit tonë, që e kanë shumë të nevojshme që komunitet të cilat janë prodhuese të bimëve tradicionale të zonave të caktuara, të jenë dhe përfituese.”,- përfundoi Klosi.