Nga Ana Palacio*

Edhe nëse liderët perëndimorë arrijnë të kufizojnë ndikimin e menjëhershëm të shpërthimit të COVID-19, kjo do të jetë shumë pak, pa përpjekje largpamëse për të forcuar sistemet liberal-demokratike nga brenda. Një dështim i tillë do të bënte që t’i dhurohej fitorja Kinës, në garën globale të ideve, që po ndodh aktualisht

MADRI – Në një përzierje të ironisë mizore dhe mendjemprehtësisë së jashtëzakonshme, tema e Bienalës së Venecias të vitit të kaluar: “Jetofshi në kohë interesante”. Kjo shprehje, që është përkthim i një mallkimi të vjetër kinez, kishte për qëllim të nxirrte në pah pasigurinë e jetës, në këtë epokë të rrezikshme dhe të pasigurt. Me pandeminë COVID-19 që po gjunjëzon, dhe një udhëheqje e besueshme globale që nuk po shihet gjëkundi, ai realitet është bërë e pamundur të injorohet.

Venecia ka qenë gjithmonë një monument i zgjuarsisë njerëzore. E ndodhur në vendet më të pamundura, ajo u bë e famshme si një nyjë e tregtisë, e mbështetur nga institucionet që qëndronin në themele të epokës së parë të globalizmit. Ishte pra, një pararojë e internacionalizmit liberal, dhe mbetet një simbol i arsyes, vlerave humane dhe arritjeve artistike mahnitëse.

Sot, Venecia, ashtu si shumica e Evropës, është e zbrazët. Për më tepër, vlerat dhe mundësitë që ajo përfaqëson nuk po shihen askund – në kontinent apo më gjerë. Përkundrazi, bota duket se është në mëshirën e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat duket se janë më të interesuara të vazhdojnë me garën e tyre të fuqive të mëdha, sesa të zgjidhin krizën COVID-19.

Kjo konkurencë për primmatin global, e cila ka ardhur duke u përshkallëzuar prej vitesh, është gjithashtu një përplasje modelesh. Sistemi kinez privilegjon harmoninë shoqërore, që qëndron në zemër të konfucianizmit. Sistemi amerikan – dhe, në të vërtetë, ai perëndimor – thekson epërsinë e individit, në traditën e Iluminizmit.

Reagimi ndaj krizës së COVID-19 e ka bërë edhe më të mprehtë këtë dallim. Në Kinë, autoritetet lokale fillimisht fshehën dhe shttypën informacionin për virusin, me qëllim që të mbronin reputacionin e Partisë Komuniste. Kur kjo rezultoi e parealizueshme, qeveria zbatoi bllokime drakoniane. Që nga ajo kohë, ka nxitur rrëfimin (megjithë të dhënat e dyshimta) se këto masa kanë arritur të frenojnë përhapjen e virusit në Kinë, dhe janë thelbësore për një përgjigje efektive kudo.

Ndërkohë në SHBA, kriza është karakterizuar nga tensioni mes të drejtave individuale për “jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë”, të mbështetura në Deklaratën e Pavarësisë. Pandemia kërcënon jetën, por përgjigja e nevojshme për të mbrojtur jetën do të dëmtonte lirinë; ndjekja e lumturisë do të merrte po kështu një goditje. Asnjë krizë, me aq sa mbajnë mend ata që janë gjallë, nuk ka paraqitur një sfidë kaq gjithëpërfshirëse për shtyllat e liberalizmit perëndimor.

Sigurisht, ka pasur edhe më parë kërcënime për jetën. Spektri i një përplasjeje bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë nënkuptonte mundësinë e një numri shumë më të madh viktimash, se sa edhe parashikimet më të këqija për pandeminë COVID-19. Por rreziku ishte kryesisht teorik. Dhe logjika e shkatërrimit të sigurt reciprok – nëse njëra palë fillonte një sulm bërthamor, të dy palët do të shkatërroheshin në fund – provoi të ishte një mjet i fuqishëm parandalues.

Ndërsa në rastin e COVID-19, rreziku është i prekshëm dhe specifik. Njerëzit po infektohen nga ky virus dhe njerëzit po vdesin të vetëm, të detyruar t’u thonë lamtumirë të dashurve të tyre, përmes videotelefonatave. Nuk ka kurë, e lëre më një vaksinë, dhe është aq ngjitës, sa sistemet shëndetësore po mbingarkohen. Kjo ka prodhuar një ndjenjë të njëkohshme urgjence dhe pafuqie, me të cilën Lufta e Ftohtë as nuk krahasohet.

Demokracitë perëndimore e kanë zvogëluar lirinë edhe gjatë krizave të mëparshme. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Akti Patriotik në SHBA zgjeroi në mënyrë drastike fuqitë e mbikëqyrjes dhe hetimit të organeve ligjzbatuese. Dhuna më e fundit terroriste në Evropë ka çuar në zhvillime të ngjashme.

Por, sërish, kërcënimi i paraqitur nga kriza e COVID-19 është shumë më i menjëhershëm dhe i prekshëm. Përgjimi i beftë është një gjë; liria e kufizuar e lëvizjes është krejt tjetër. Deri më tani, bllokimet, karantinat dhe kontrollet kufitare janë pranuar gjerësisht si të nevojshme, por sa më shumë që zgjasin, aq më shumë do të gërryenin themelet e shoqërive të lira, liberale.

Ideja tërheqëse por amorfe e Thomas Jeffersonit për ndjekjen e lumturisë është veçanërisht e brishtë në këtë situatë. Në dekadat e fundit, pasi kapitalizmi i pakufizuar ka rrokur vetëdijen publike, lumturia ka ardhur duke u barazuar me sigurinë ekonomike dhe prosperitetin. Eshtë një mënyrë matëse e cekët, por mënyra se si kënaqësia matet në terma bruto sot, do të përcaktojë reagimin ndaj krizës.

Ai reagim po bën që ekonomitë të ndalen. Në SHBA 6.6 milion njerëz aplikuan për përfitime të papunësisë javën e kaluar, pasi rekordi i mëparshëm prej 695,000 aplikimesh, i vendosur në vitin 1982, u kalua nga 3.3 milion aplikimet e javës së kaluar. Siç treguan pasojat e krizës financiare të vitit 2008 në Evropë, papunësia masive dhe shtrëngimi i rripave mund të jenë jashtëzakonisht shkatërruese, pasi ato nxisin mosbesimin ndaj institucioneve ekzistuese.

Së bashku me rreziqet për jetën dhe kufijtë mbi lirinë, kriza e ardhshme ekonomike do të thellojë dyshimet për liberalizmin perëndimor dhe do të dobësojë pozicionin e tij në garën globale të ideve, që është duke ndodhur. Prandaj është e domosdoshme që liderët perëndimorë jo vetëm të kufizojnë përhapjen e COVID-19, por edhe të nxisin kohezionin shoqëror, të gjejnë një rrugë të besueshme të rikthimit tek rritja ekonomike, dhe të ri-gjallërojnë vlerat dhe institucionet ku mbështeten shoqëritë liberale demokratike. Për të pasur sukses, ata do të duhet të ringjallin etikën që qytetaria përfshin detyrime dhe të drejta. Skenat e heroizmit nga profesionistët e mjekësisë, punëtorët e shërbimeve dhe anëtarët e komunitetit që ka prodhuar pandemia, duhet të ndihmojnë në çuarjen përpara e këtij objektivi.

Edhe nëse liderët perëndimorë arrijnë të kufizojnë ndikimin e menjëhershëm të shpërthimit të COVID-19, kjo do të jetë shumë pak, pa përpjekje largpamëse për të forcuar sistemet liberal-demokratike nga brenda. Një dështim i tillë do të bënte që t’i dhurohej fitorja Kinës, e cila me të drejtë apo jo, po e paraqet modelin e vet si zgjidhjen më të mirë ndaj sfidave të këtyre kohërave interesante.

Ana Palacio ka qenë Ministre e Jashtme e Spanjës / Project Syndicate – Bota.al