Nga Ylli Pata/

Situata e luftës së egër me Covid 19 e ka vënë thuajse të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar në vijën e parë të përplasjes me koronavirusin dhe realisht në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk është në rëndësi parësore pjesa tjetër e këtij sistemi.

Njerëzit e mbyllur nëpër shtëpi kanë frikë t’i afrohen spitaleve apo qendrave të tjera shëndetësore nga frika e takimit fatal me flamën që për shumëkënd përkthehet edhe me vdekjen.

Të gjithë po trajtohen në shtëpi me ҫfarë munden: të sëmurët kronikë po përdorin ilaҫet dhe konsultat telefonike për tu marrë me komplikacionet e mundshme, prindërit për fëmijët e sëmurë po përdorin kryesisht terapitë e akute, duke lënë për më vonë dhe një kohë tjetër gjithҫka nga planifikimi për kurimin e sëmundjeve apo shqetësimeve të mundshme. E kështu edhe moshat e tjera.

Por me kalimin e emergjencës do të zbulohet gjithҫka e do të kërkohet rikthimi në normalitet, por kjo nuk do të jetë e lehtë; e për sistemin shëndetësor në radhë të parë, i cili mund të ketë mundësinë e një reforme reale, drejt asaj që quhet kujdes shëndetësor universal, aq sa mundet.

Në këto 30 vjet Shqipëria, si edhe në energji, arsim apo sektorë të tjerë që kanë mbetur në këmbë pa u prishur nga rënia e diktaturës, edhe në shëndetësi ruajti përafërsisht një kopje të keqe të modelit komunist të kujdesit shëndetësor.

Nuk pati asnjëherë një reformë reale që të krijohet një koncept dhe model funksional.

Në komunizëm sistemi universal shëndetësor ishte i bazuar në shpërndarjen e mjekëve, apo pikave shëndetësore në të gjitha qendrat administrative sipas kohës. Ku ҫdo fshat kishte mami, ҫdo kooperativë qendër shëndetësore, ҫdo qytezë kishte një ambulancë, spital të vogël e ҫdo qendër rrethi kishte një spital të plotë me të gjithë specialitetet: që nga pediatria, kirurgjia, okulistika, otorino e të tjera specialitete bazë, si dhe qendrat ambulatorë në lagje. Epidemiologët ishin shpërndarë kudo sepse kjo degë funksiononte si një organizim gati ushtarak dhe ishte i ndarë nga qendrat e shërbimit parësor. Nuk kishte mjek familje në kuptimin si funksionon sot, pasi gjithҫka funksiononte në shkolla, qendër pune apo lagje.

Rënia e sistemit rrëzoi piramidën demografike dhe të gjithë njerëzit u përqendruan në Tiranë, Durrës e disa qendra të mëdha.

Po ҫ’ndodhi? Kapaciteti i spitaleve të rretheve u zvogëlua dhe mjekët ose vinin në Tiranë ose largoheshin.

Kjo solli rënien e piramidës shëndetësore në vend, duke bërë që Qendra Spitalore Nënë Tereza të mos jetë thjesht një qendër nevralgjike, ku të vijnë vetëm ata pacientë që kanë nevojë për shërbim të specializuar por aty përfundojnë të gjithë.

Kush ka shkuar njëherë në urgjencën e QSUT-së e di ҫfarë kaosi mbretëron edhe pse herë pas here ka pasur përpjekje e janë bërë organizime për të përmirësuar shërbimin.

Por thelbi është se nuk është mundësia që të ketë shërbim të mirë dhe cilësor për të gjithë, duhet t’i biesh telefonit, miku, por edhe natyrisht leku ka ecur më shumë për të zgjidhur punë më mirë.

Në QSUT drejtues shërbimesh janë shefat e vjetër të pavioneve që refuzojnë të dalin në pension dhe nëse e bëjnë, në disa raste u lënë stafetën familjarëve të tyre që i kanë përgatitur për këtë ditë, duke u kthyer kështu në një kastë që pengon qarkullimin e prurjeve të reja, energjike dhe të rejave të shkencës.

Megjithatë, në sistem ka gjithsesi asete të rëndësishme intelektuale që e kanë treguar edhe në situata si kjo e sotme që janë të gatshëm të jenë në një hap me kohën.

Megjithatë, nuk është ҫështja e aseteve intelektuale, sesa e sistemit të organizimit shëndetësor universal.

Tek ne të gjithë paguajnë sigurim shëndetësor por shërbimi që marrin nuk i përgjigjet, ndaj spitalet private janë plot dhe janë kthyer në megastruktura masive me pacientë që paguajnë shumë shtrenjtë, pasi në sistemin publik nuk e gjejnë shërbimin. Dhe ndryshe nga disa vende në botë ku sigurimi shëndetësor mund të kalojë te privati, tek ne s’mundesh: duhet të paguash cash.

Po të shohësh spitalet private në Tiranë, janë kthyer në struktura masive që kanë pacientë pafund që bëjnë të gjitha ndërhyrjet apo shërbimet: nga materiniteti, tek trajtimi i të sëmurëve rëndë, apo edhe ndërhyrje kirurgjikale nga më të lehtat deri ata më të komplikuarat.

Dhe shpesh në këto struktura janë të njëjtët mjekë që punojnë në publik por që në privat japin më shumë nga pagesa që marrin.

Ndërkaq, shërbimi ambulator, ai i mjekut të familjes etj nuk janë ashtu siҫ duhet të jetë; vendi ku një pacient merr diagnozën paraprake, mjekimin e parë apo dhe rekomandimin për një diagnostifikim më të specializuar në QSUT.

Mënyra e trajtimit dhe e shërbimit të kësaj pjese të sistemit shëndetësor që është kthyer më shumë një strukturë administrative që bën letra, edhe pse natyrisht edhe në këtë sektor ka mjaft specialistë të zotë, sesa një institucion efikas kujdesi shëndetësor.

Një reformë e plotë në shëndetësi është mjaft e nevojshme, ku mund të merren natyrisht përvoja të ndryshme ku bota ka modele të ndryshme të orgaanizimit.

Njëri është ai britanik, i themeluar nga laburistët pas Luftës së Dytë Botërore që ngritën NHS-në, korporatën kombëtare të shëndetësisë në vend, që është edhe punëdhënësi më i madh me më shumë se 1 milion të punësuar.

Është NHS që administron ҫdo të ardhur që merr edhe nga sigurimet shëndetësore edhe nga buxheti apo donatorë të tjerë(BE deri dje).

Modeli italian është pak më ndryshe, është i ngritur nga USL: unita sanita locale, ku Rajonet organizojnë në bazë të buxheteve të tyre sistemin shëndëtësor. Kështu që për shembull në Lombardi sistemi është më ndryshe se ai në Lazio apo Napoli, ku qeveria është aty prezente për të ndihmuar me buxhete dhe planifikime. Por sigurisht ka mijëra modele të tjerë.

Sistemi shënndetësor natyrisht që është një sektor që kushton shumë, por siҫ po shikojmë sot, sikur edhe për një ditë të keqe ja vlen që të jetë sa më i fortë dhe jo vetëm në sistemin fundor të tij siҫ është QSUT-ja, por që në qelizat bazike të saj në fshatra e qytete. Shëndetësia nuk është falas pasi të gjithë të punësuarit derdhin kontribute përveҫ taksave të tjera, por natyrisht që s’mjafton e qeveria duhet të financojë shtesë. Kështu ndodh kudo. (TemA)