Pasi Kryeministri Edi Rama njoftoi faljen e gjobave për të gjithë shkelësit e karantinës, ka hyrë në fuqi edhe akti normativ.

Por mes qytetarëve të ndëshkuar ka nga ata të cilët i kanë paguar gjobat, të cilët do të duhet të marrin mbrapsht paratë.

Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare thuhet se gjobat e paguara do të kthehen brenda datës 30 prill.

Shuma e parave do të kalojë në mënyrë automatike në llogarinë bankare të individit ose në mungesë të saj kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues.

Ndërkohë patentat e bllokuara do të kthehen tek drejtuesit brenda datës 15 maj.

Akti Normativ

PËR FALJEN E MASAVE ADMINISTRATIVE ME KARAKTER NDËSHKUES TË VENDOSURA GJATË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Neni 1

Falja e masave administrative

Falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse, për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, duke filluar nga momenti i konstatimit të kësaj sëmundjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në datën 17.4.2020.

Neni2

Kthimi i detyrimit të masës administrative me gjobë

Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, përmasat administrative me gjobë, merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma,me urdhër të nëpunësit të parë autorizues, dhe kalohet në mënyrë automatike në llogarinë bankare të individit ose në mungesë të saj kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues.

gjitha institucionet shtetërore duhet të dërgojnë listat e personave ndaj të cilëve është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 prill 2020.

Kthimi i shumave pranë llogarisë bankare të subjektit përfitues apo institucionit shtetëror që ka vendosur masën administrative me gjobë të bëhet brenda datës 15 maj 2020.4.

Mënyra dhe rregullat e hollësishme të kthimit të shumave të paguara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Neni 3

Kthimi i lejeve/licencave dhe i mjeteve të bllokuara,në zbatim të masave administrative

Të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2, të këtij akti normativ,si lejet/licencat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 maj 2020 te subjekti përfitues.

Ngarkohen titullarët e secilit prej institucioneve shtetërore, që kanë vendosur masa administrative sipas këtij neni, të nxjerrin udhëzimet përkatëse për përcaktimin e mënyrës së kthimit të detyrimit të falur.

Neni 4

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama