Komisioni Europian propozon 3 miliardë euro ndihmë makro-financiare për të mbështetur dhjetë vende, mes të cilëve edhe Shqipëria që përfiton 180 milionë euro në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë COVID-19.

Komisioneri për Zgjerim i BE, Oliver Varhelyi tha se, “paketa e ndihmës makro-financiare prej 3 miliardë eurosh për të mbështetur dhjetë vendet fqinje është një komponent i rëndësishëm i përgjigjes globale të BE ndaj pandemisë COVID-19″.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca tha sot se “ndihma e BE-së për Shqipërinë në kohën e COVID-19 shënon një tjetër hap me rëndësi”.

“Përveç ndihmës së mëparshme, Komisioni Europian propozon të alokojë 180 milion euro për Shqipërinë në formën e kredive me kushte shumë të favorshme për të ndihmuar në mbrojtjen e qytetarëve dhe zbutjen e pasojave negative socio-ekonomike”, tha ambasadori Luigi Soreca.

Komisioni ka miratuar një propozim për një pako të ndihmës makro-financiare prej 3 miliardë eurosh për dhjetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë për t’i ndihmuar ata të kufizojnë ndikimin ekonomik të pandemisë koronavirus.

“Propozimi vjen në krye të strategjisë ‘Ekipi Europë’, reagimi i fuqishëm dhe i synuar i BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Ai përfaqëson një demonstrim të rëndësishëm të solidaritetit të BE me këto vende në një kohë të një krize të paparë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Propozimi, pas një vlerësimi paraprak të nevojave për financim, parashikon që fondet e asistencës makro-financiare të shpërndahen si më poshtë: Republika e Shqipërisë 180 milion €, Bosnja dhe Hercegovina 250 milion €, Gjeorgjia 150 milion €, Jordania 200 milion €, Kosova 100 milion €, Republika e Moldavisë 100 milion €, Mali i Zi 60 milion €, Republika e Maqedonisë së Veriut 160 milion €, Republika e Tunizisë € 600 milion dhe Ukraina 1.2 miliardë €.

Paolo Gentiloni, Komisioneri për Ekonomi, tha se, “solidariteti europian nuk duhet të ndalet në kufijtë e Unionit tonë. Sepse në këtë krizë globale, ne qëndrojmë ose biem bashkë. Sot Komisioni Europian po merr një hap vendimtar për të ndihmuar dhjetë fqinjët tanë në luftën e tyre kundër coronavirus. Unë i bëj thirrje Parlamentit Europian dhe Këshillit që të bien sa më shpejt dakord për këtë paketë të rëndësishme. ”

Fondet e asistencës makro-financiare do të vihen në dispozicion për 12 muaj në formën e kredive me kushte mjaft të favorshme për t’i ndihmuar këto vende të mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme, urgjente të financimit. Së bashku me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet mund të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për të lejuar që burimet të ndahen për mbrojtjen e qytetarëve dhe zbutjen e pasojave negative socio-ekonomike të pandemisë koronavirus.

Propozimi i Komisionit i nënshtrohet miratimit nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së. Duke pasur parasysh nevojën urgjente për këtë mbështetje, Komisioni mbështetet në bashkëpunimin e bashkë-ligjvënësve për të siguruar miratimin e shpejtë të propozimit.

Komisioni thekson se është i gatshëm të disbursojë këstin e parë sa më shpejtë që të jetë e mundur pas miratimit të vendimit të asistencës makro-financiare dhe pas marrëveshjes për Memorandumin e Mirëkuptimit me secilin vend partner. Kësti i dytë mund të disbursohet në tremujorin e katërt të vitit 2020 ose në gjysmën e parë të vitit 2021.