Kryetari i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama dhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger përshëndetën lirimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e të ndaluarve, që u kryen sot në Ukrainën Lindore, thuhet në një njoftim për shtyp të OSBE-së. ”Lirimi dhe shkëmbimi i ndërsjellë i ditës së sotme i të ndaluarve përbën një hap të rëndësishëm që është ndërmarrë para Pashkëve ortodokse. Palët demonstruan vullnet politik dhe një gjest humanitar. Kjo ditë është pritur gjatë nga të ndaluarit si dhe nga të afërmit dhe miqtë e tyre”, deklaroi Rama.
Rama inkurajoi fuqimisht zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut duke mbështetur përpjekjet e Grupit Tripalësh të Kontaktit dhe të Formatit të Normandisë. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të miratimit të hapave të ndërmarra në Samitin e Normandisë, në Paris, më 9 dhjetor 2019, përfshirë angazhimin për një zbatim të plotë dhe gjithëpërfshirës të armëpushimit si dhe të gjitha konkluzionet e tjera të dakorduara në Paris.
“OSBE-ja, brenda mandatit të saj, është e gatshme të mbështesë, përmes Grupit Tripalësh të Kontaktit dhe Misionit Special të Monitorimit në Ukrainë”, shtoi ai.Kontributi në zgjidhjen paqësore të krizës në dhe përreth Ukrainës dhe bërja e një ndryshimi në terren është një përparësi kryesore e Kryesisë Shqiptare të vitit 2020. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbështetur përmirësimin e situatës së sigurisë dhe lehtësimin e vështirësive të civilëve që jetojnë në zonat e prekura nga konflikti në Ukrainën Lindore”, përfundoi Rama.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Greminger shtoi se “lirimi dhe shkëmbimi i ndërsjellë i të ndaluarve, i dyti në më pak se katër muaj, është shumë i mirëpritur. Familjet do të ribashkohen dhe të jenë në gjendje të kalojnë së bashku festat e Pashkëve ortodokse. Unë u bëj thirrje palëve të bazohen te këto shkëmbime dhe të rinovojnë momentumin drejt arritjes së një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në lindje të Ukrainës, përmes zbatimit të plotë dhe gjithëpërfshirës të marrëveshjeve të Minskut”.