Kryetari i Grupit Parlamentar i PS-së Taulant Balla ka reaguar për infektimin e mjekëve dhe infermierëve me koronavirus gjatë betejës.
Balla thotë se vendi jonë do ta fitojë luftën me COVID-19, ndërsa kritikon opozitën për akuzat që ka bërë ndaj qeverisë.
“Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku mund të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha!
Duhet të vazhdojmë të zbatojmë një për një rregullat dhe masat shtrënguese dhe të mbrohemi nga ky armik i padukshëm, derisa të dalim nga kjo luftë e egër që kërcënon qindra jetrë shqiptare.
Shqipëria do ta fitojë luftën dhe ata që shajnë e mallkojnë, teksa rrotullohen në divan e çohen vetëm për të hedhur vrerë mbi ata që punojnë, do t’i mohojnë ato që thonë sot pa u menduar e pa e kuptuar që kjo është një luftë.
Kuja e paskrupullt e mjeranëve të shqupit le të vijojë, mjekët dhe infermierët në front shpëtojnë çdo ditë jetë dhe karvani i operacionit të përditshëm humanitar ecën përpara, kudo ku ka familje në nevojë”, shkruan numri dy i socialistëve në rrjetet sociale.