Nga Alba Malltezi/

Nuk është e vërtetë që nga rrjetet sociale nuk ke çfarë mëson. Duke bërë një seleksionim e duke ndjekur më të mirët se vetja, përditë, sapo hap e shfleton, shfaqen leksione jete, eksperienca, foto, thënie, libra, deri edhe legjenda që nuk na kishte qëlluar të dinim e të dëgjonim më parë.

Si për shembull, legjenda indiane mbi shqiponjën. Besoj shumë prej nesh e kanë mësuar se ky shpend, simboli i vendit tonë, jeton gjatë, deri 70 vjet. Por nga mesi i jetës së saj, legjenda indiane thotë, se shqiponja është para dy rrugëve: kur ajo mbush 40 vjeç ose do të vdesë, ose duhet të bëjë një transformim rrënjësor. Zgjedh të dytën. Shqiponja shkon në majën më të lartë të maleve ku jeton dhe, për 150 ditë, nis një transformim të dhimbshëm.

Si fillim nis të përplasë sqepin në shkëmb, ai është bërë i fortë dhe i kthyer aq shumë sa e pengon të ushqehet. Nga përplasjet sqepi bie dhe me durim shqiponja pret të dalë e të rritet sqepi i ri. Me të nis fazën e dytë, po aq të dhimbshme, shkuljen e kthetrave që janë rritur e kthyer sa më s’ka ku të shkojë. Shqiponja, në të 40-at e moshës së saj e ka të vështirë të mbërthejë gjahun për t’u ushqyer. Pasi i shkul të gjithë kthetrat pret përsëri me durim daljen dhe rrritjen e të rinjve. Këtë herë janë më të fortë.

Me sqepin dhe kthetrat e reja e të fuqishme, nis fazën e tretë të rëndësishme: shkuljen e puplave të vjetra e të rënda. Edhe këtë herë me durim dhe forcë, shkul një nga një ato që nuk i duhen dhe e rëndojnë në fluturim. Kjo legjendë indiane thotë se shqiponjës i duhen 150 ditë të gjata për ta bërë këtë shndërrim vital, të tjera legjenda thonë se duhen më pak, por gjithësesi flasin për 50 apo 70 ditë të gjata.

Nëse kjo karantinë prej nesh merret si një mundësi që të ringjallim e forcojmë më të mirën tonë, ndoshta edhe ne si shqiponja, do të dalim më të fortë e jetëgjatë në të ardhmen që na pret; por nëse ne, gabimisht në këto 40 e më shumë ditë mbyllje që bëmë e na presin ende, asgjë të keqe nuk kemi lënë pas, e asgjë të mirë nuk planifikojmë në horizont, do ta kemi të vështirë të rinisim “fluturimin” akoma më të fortë.