Duke nisur nga ora 13:00 e ditës së sotme deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit e gjithë Shqipëria, do të jetë e mbyllur në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së CoVid-19. Ashtu si në dy javët e fundit pas marrjes së masave të reja shtrënguese, pas orës 13:00 të kësaj të shtune të gjitha bizneset dhe shërbimet do të mbyllen, ndërsa qytetarët janë të detyruar që të qëndrojnë në banesat e tyre për të mos u bërë rrezik infektimi tek të tjerët apo të infektohen vetë. Ndërkohë mundësia e lëvizjes do të jetë vetëm në raste emergjence.

Ka qenë edhe vetë kryeministri i vendit Edi Rama i cili me anë të një postimi në Facebook ka kujtuar qytetarët për këtë fashë oraresh dy ditore për të frenuar koronavirusin. Të vetmit që do të lëvizin në terren do të jenë policia, forcat e ushtrisë, automjetet e transporti të mallrave dhe kompanive mediatike si dhe shërbimet e ambulancave.