Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nisjen e punimeve për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti 26 nëntorit në Thumanë.

Kryeministri siguroi se “pavarësisht që na doli ky armik (COVID-19) do të bëjmë çmos ta çojmë rindërtimin drejt Vitit të Ri me sukses për shumicën e atyre që kanë shtëpi individuale”.

Rama tha se “do të punojmë ditë-natë me 3 turne ose me 4 turne, do të bëjmë gjithçka”.

“Të gjithë ata që janë në çadra a në shtëpi me qira, do t’i kthejmë në shtëpia të reja, më të mira, më të forta e më të bukura dhe pasi të fitojmë luftën që na ka zënë derën, do të përmbushim këtë kryedetyrë njerëzore të këtij viti të jashtëzakonshëm, duke zbatuar me çdo kusht porosinë e Zotit të Madh të Shqiptarëve, për t’u kujdesur deri në fund për ata që tërmeti i goditi më fort”, tha Rama.

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj u shpreh se “3400 njësitë individuale do të kenë të shoqëruar edhe infrastrukturën specifike rreth e rrotull apo ku janë banesa individuale të përqendruara”.

“Këtu bashkia së bashku me disa institucione kanë qenë dëshmitarë të prishjeve të verifikuara nga Instituti i Ndërtimit me rezultante se janë të pabanueshme dhe të rrezikshme. Po ashtu me prezencë të një përfaqësuesi të prokurorisë dhe të prefekturës për të vërtetuar se procedura është sa më transparente”, tha Ahmetaj.