Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare është angazhuar që të vlerësojë ekonomitë e rajonit, pra të Europës Qendrore, lindore dhe juglindore, në bazë të masave që po ndërmarrin për të luftuar krizën ekonomike që po shoqëron atë shëndetësore. Në përditësimin më të fundit të këtyre vlerësimeve, Instituti tregon se ndihma e deritanishme për të përballuar situatën prek shifrën e 3.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kjo normë rezulton të jetë më e lartë se në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, apo Malin e Zi, e njëjtë me Bosnje Hercegovinën, dhe shumë larg nivelin të Serbisë, ku fiksohet në 7%. Të dhënat janë deri më datë 16 prill, çka sinjalizon se përfshijnë edhe paketën 2 të qeverisë shqiptare.
Krahasuar me vende si Hungaria, Kroacia, Letonia, Lituania, apo Sllovenia, norma prej 3.3% në vendin tonë rezulton të jetë relativisht e ulët, por krahasuar me vende si Turqia, Rusia apo Polonia, rezulton ndjeshëm më e lartë. Norma rezulton më e lartë se shumë vende të tjera pasi nuk përfshin vetëm ndihmën e brendshme, prej rreth 300 milionë eurosh, por edhe atë të jashtëm; në rastin konkret huanë prej 190 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për një total prej rreth 490 milionë euro. SCAN