Nga Artur Ajazi – Kush nuk mori postin e dëshiruar, sot i ka dalë “armik i betuar”, kush nuk realizoi atë që kishte në mëndje , sot i ka dalë “hasëm” Edi Ramës. Eshtë e habitshme, por shumë e vërtetë, mjafton të dëgjosh dhe të shikosh se si kanë 6 vjet e kusur që bëjnë thirrje, hartojnë letra dhe peticione, lëshojnë kushtrime dhe mallkime, dhe ç’nuk po bëjnë, duke bërë hasha dhe duke nxirë gjithçka, vetëm sepse Edi Rama nuk u dha ndonjë “kockë”.
Pushteti nuk është lopë që milet, dhe të gjithë nga një bidon. Pushteti është përgjegjshmëri, seriozitet, ndjeshmëri, dinjitet, korrektësi, dhe mbi të gjitha kërkon burrëri. Dhe këto cilësi, Edi Rama i kishte, dhe premtoi se do ti ketë, edhe pasi të vinte në pushtet. Dhe e mbajti fjalën.
Por nuk mund të bënte me poste, ata që ishin provuar, ata që kishin dështuar, ata që ishin larguar për 1001 arsye nga vendet e punës, dhe që shpresonin se “Rama, do të na japë diçka”. Sikur të kishte qenë dhe kishte ndodhur vërtetë kështu, ky vend sot nuk do të kishte patur një qeverisje të përgjegjshme, serioze, të ndjeshme, dinjitoze, dhe mbi të gjitha një kryeministër fjalëmbajtur. Por ja që, ata që sot janë gjoja “zemëruar keq” me Edi Ramën, e kanë hallin gjetkë, nuk u digjet shumë buza për “popullin hallexhi” apo për “krizat emergjente” të cilat kanë prekur vendin.
Sulmet, letrat dhe peticionet e tyre lart e poshtë, madje edhe jashtë kufinjve tanë, mallkimet, kushtrimet, sajimet, dhe thirrja për “mosbindje dhe mosbesim ndaj Ramës”, janë thjesht pasthirrma dëshpëruese, që nuk i dëgjojnë më as shqiptarët, dhe jo më ata përtej kufirit. Janë konfuzë edhe kur japin mendimet e tyre me “kokën” e tjetrit, aq sa herë-herë ngatërrojnë Ramën me Doktorin, apo Lulzimin me Ilirin.
Ata që sot shtiren dhe hiqen se “ne jemi ajka e inteligjencës” nuk janë gjë tjetër, veçse të mbeturit me “gisht në gojë” pasi Rama nuk mund të bënte pakte dhe pazare me pushtetin, aq më tepër me sojin e tyre. Për dështakët që nuk lënë dritare dhe vrimë pa sulmuar kryeministrin e vendit, padyshim ka vetëm një përgjigje, përçmim dhe braktisje. Dhe këtë përgjigje shqiptarët po ja japin çdo ditë kumarxhinjve, që nuk kanë as “dinë e iman”, por veçse etje për para të ndyrë. Për sejmenët dhe kameleonët e SHQUP-it, shqiptarët e kanë dhënë me kohë përgjigjen e tyre, duke u distancuar nga ata, qysh para se të dilte coronavirusi, duke i mbajtur larg dhe duke injoruar kukurisjet e tyre me aromë alkooli.