Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë vijon të jetë i lartë. Autoritetet raportuan sot se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 585 viktima, duke e çuar në 20 000 numrin total të vdekjeve.

Ndërkohë, numri total i të infektuarve ka shkuar në 184,948, ndërsa i të shëruarve në 74,797.

Kujtojmë se tre ditë më parë, autoritetet spanjolle kanë lejuar që disa punëtorë, të fillojnë të kthehen në punët e tyre, por ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, tha se qeveria do të ketë kujdes me lehtësimin e masave tjera. Illa tha se zyrtarët do të vazhdojnë me kujdesin dhe maturinë maksimale, në lehtësimin e kufizimeve dhe gjithmonë të bazuar në prova shkencore. “Ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë datat kur izolimi mund të përfundojë”, tha ai një konference për media në Madrid.

Qeveria spanjolle, në përpjekje për të rihapur ekonominë, ka lejuar punëtorët të kthehen në vendet e punës në fabrika dhe sektorin e ndërtimit. Por, dyqanet dhe shërbimet me pakicë duhet të qëndrojnë të mbyllura dhe ata që punojnë në zyre, duhet të vazhdojnë të punojnë nga shtëpitë.