Zbatimi i masave kufizuese nga drejtuesit e automjeteve që lëvizin për punë ishte në fokus të një inspektimi që zhvilluan sot drejtues të Policisë së Shtetit dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ministri Shalsi, drejtori i Policisë Tiranë, Rebani Jaupi dhe zv/drejtori Dhimitraq Ziu, inspektuan sot shërbimet e Policisë në rrugë, për të parë nga afër zbatimin e masave kufizuese.
Shalsi dhe Veliu panë nga afër, përreth dy orë, në disa pika kontrolli, të gjitha kontrollet e kryera nga ana e Policisë për lëvizjen e automjeteve 4+1, nëse drejtuesit ishin të pajisur me autorizim, si dhe nëse zbatonin fashën orare të lejuar apo abuzonin me autorizimet e marra në emër të bizneseve që ata punonin ose përfaqësonin.
Dy ditë më parë, drejtor Veliu, gjatë një prononcimi për shtyp bëri me dije se automjetet 4+1 do të përdoren vetëm për të shkuar nga shtëpia në punë dhe anasjelltas dhe jo të përdoren në mënyrë abuzive jashtë destinacionit, pasi çdo drejtues mjeti që do kapet duke drejtuar mjetin jashtë destinacionit do ndëshkohet sipas Aktit Normativ.