Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për mbështetjen e mëtejshme për Shqipërinë në luftën kundër pandemisë së koroanvirusit, COVID-19.

“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga lloji i ri i koronavirusit që ka prekur mbarë botën, shumë vende kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin masa të shumta. Në Shqipëri u morën gjithashtu masa të tilla të rrepta, siҫ ishin mbyllja e shkollave dhe e veprimtarive tregtare”, është shprehur ai.

“Unë dua të shpreh vlerësimin dhe respektin tim të sinqertë për punën e palodhur dhe të përkushtuar të punonjësve të sektorit të shëndetësisë dhe autoriteteve qeveritare. Shpresoj se qytetarët shqiptarë do të mund t’i kthehen shumë shpejt normalitetit”, ka thënë Ito.

“Japonia gjithashtu ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ka vendosur masa shumë të rrepta për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Këto masa do të jenë në fuqi të paktën deri në fund të sezonit festiv në maj. Aktualisht autoritetet japoneze dhe qytetarët janë duke punuar fort për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën”, ka nënvizuar ambasadori japonez.

“Lojërat Olimpike në Tokio, që ishin planifikuar të zhvilloheshin këtë vit tashmë janë shtyrë për korrikun e ardhshëm, në mënyrë që të mund t’u sigurojmë atletëve nga e gjithë bota kushtet më të mira të mundshme, që ata të garojnë të sigurt dhe pa asnjë frikë. Shpresoj se vitin e ardhshëm do të kemi shumë atletë dhe vizitorë nga Shqipëria”, ka shtuar ai.

“Qeveria japoneze e ka mbështetur dhe ndihmuar vazhdimisht qeverinë shqiptare në sektorin e kujdesit shëndetësor, dhe duke marrë parasysh edhe situatën serioze të shkaktuar nga tërmeti dhe më pas nga pandemia, ne jemi të gatshëm të zgjerojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen tonë. Aktualisht, Ambasada e Japonisë dhe autoritetet shqiptare po punojnë për të përgatitur projekte të reja. Unë shpresoj fort në mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm për aktivitetet tona”, ka përfunduar ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito.