Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ftoi presidentin rus, Vladimir Putin, që të marrë pjesë në një samit për trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Mbretëria e Bashkuar do të jetë mikpritëse e eventit muajin e ardhshëm, dhe në një bisedë telefonike, Johnson e ftoi shefin e Kremlinit t`i bashkohet nismës “për të ndihmuar forcimin e sistemeve shëndetësore dhe trajtimin e koronavirusit në disa nga vendet më të varfra të botës”.
Konferenca, e paralajmëruar që në prill, synon të bashkojë udhëheqës botërorë, donatorë dhe prodhues të vaksinave. Johnson dhe Putin “u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të punës së bashku dhe me vendet e tjera, për mposhtjen e sëmundjes”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike. Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Europë: mbi 30,000.Rusia, të premten, ka shënuar ditën e gjashtë me radhë me mbi 10,000 të infektuar të rinj nga koronavirusi.