Shëtitorja “Taulantia” në Durrës shumë shpejt do të ketë një pamje të re. Bashkia e Durrësit po vijon punën intensive për rikonstruksionin e rrugës nga segmenti hotel Arvi-hotel Aragosta. “Punonjësit po punojnë deri orët e mbrëmjes me synim që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt dhe me të gjitha standartet bashkëkohore”, – thekson bashkia. Sipas bashkisë, në të gjithë zonën po kryhen ndërhyrje të cilat do të tjetërsojnë hapësirën duke filluar nga projekti Veliera dhe vazhduar me rehabilitimin e shëtitores Taulantia.
“Për ta plotësuar këtë kuadër po realizohet edhe rikonstruksioni i rrugës Taulantia e cila ishte e amortizuar. Investimi në këtë rrugë me gjatësi 720 metra, po kryhet me fondet e bashkisë së Durrësit dhe në këtë segment do të zëvendësohen shtresat rrugore duke i zëvendësuar ato me të reja, si dhe do të shtrohet asfalt i ri në një sipërfaqe totale 6980 m2”, – tha bashkia. Po kështu do të vendosen edhe sinjalistikat horizontale dhe vertikale.
Shëtitorja “Taulantia” në Durrës, e njohur gjerësisht si zona e “Vollgës” po i nënshtrohet rikonstruksionit tërësor. Shëtitorja fillon nga porti dhe mbaron te Sfinksi.