Në Kosovë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaci në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit.

“Në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venecias do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese. Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision” thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

“Duhet theksuar që është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre”.

Dje Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar dekretin e Presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Kushtetuese e cila pas shqyrtimit të parë ka vendosur që të pezullojë vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit deri më 29 maj. Kjo do të thotë që sot nuk mund të mbahet seanca e thirrur nga LDK’ja për në ora 13:00