Me kontributin e banorëve të dy fshatrave të Lezhës është rindërtuar kisha historike e Shën Lezhdrit e cila u shkatërrua gjatë kohës së diktaturës. Ata synojnë ta kthejnë në atraksion turistik për vete historinë dhe bukuritë natyrore që ofron zona.

Nga ky ballkon mund të kundrosh një pjesë të mirë të Adriatikut. Nuk jemi rastësisht këtu në fshatin piktoresk të Prullit në Lezhë. Banorët e zonës kanë rindërtuar kishën qindravjeçare të Shën Lezhdrit, e cila ishte rrënuar në kohën e diktaturës.”Kisha është shembur në vitin ’67 dhe është rrënuar në mënyrë barabare nga komunizmi kemi mbledhur harqet, kryqet, gropat e ujit të bekuar që janë bërë 600 a 700 vjet më parë”, është shprehur një banor.

Një Kryq i madh, 15 metra i lartë është vendosur në oborrin e kishës, i cili duket deri në Shëngjin.

Banorët e zonës kanë punuar nën drejtimin e priftit Alessandro Truscello dhe me donacione të vetë banorëve, kryesisht djemve të rinj në emigracion.

“Me ardhjen e priftit Aleksandri kjo kishë është rimëkëmbur në mënyrë më të shpejtë nga viti 2008 e dei sot kanë punuar punëtorët me mundësitë që kanë pasur ka kontribuar gjithë fshati. Një nga kontribuesit është Marjan Kola”, tha banori.

Kisha e Shën Lezhdrit, një nga më të vjetrat në Ballkan ishte ndërtuar në vitin 1402, dhe citohet në mjaft libra të historisë. Pas viteve ’90 aty kishin mbetur vetëm rrënoja, por banorët e Spitenit dhe Prullit e kthyen në identitet.

Përpos ritualeve fetare ata synojnë ta kthejnë edhe në atraksion turistik dhe vend pelegrinazhi. Për këtë duhet edhe ndërhyrja e bashkisë për të asfaltuar rrugën prej 12 kilometrash nga qendra e Lezhës deri në fshatin Prull.