Ish presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, duke folur në lidhje me Reformën Zgjedhore, u shpreh se në fund nuk do kemi asgjë.“Jemi sot në situatën kur pas zgjedhjeve ka akuza. Parlamenti është kthyer në institucionin më të dobët historikisht. Janë futur në kullë, në mungesë të transparencës. Politika sot merr në dorë në mënyrë monopoliste fatin e zgjedhjeve. Janë futur, do respektojnë datën 31 maj, që të jenë në rregull edhe me ndërkombëtarët e në fund nuk do kemi asgjë”, tha Topi.

Bamir Topi foli edhe për Partinë Demokratike, duke thënë se PD sot ka kryetar de jure Lulzim Bashën, ndërsa kryetari de facto është ish kryeministri Sali Berisha.“Nuk merrem personalisht me zotin Basha, por nuk shoh opozitë për një premisë për të qenë në pushtet. Edhe tek Reforma Zgjedhore, opozita po kënaq orekset e maxhorancës. Opozita bëhet me maxhorancën, në kohën që ka vjedhje votash. Basha thotë se jemi për maxhoritar për lista të hapura, kurse nesër del Berisha e thotë nuk e ndryshojmë sistemin e përfundimisht PD nuk bën asgjë. PD nuk drejtohet nga kryetari de jure, por kryetari de facto. Këtu nuk ka alternativë. Demokracia ka nevojë për të rilindur”, përmbylli Topi.