Nga Alfred Peza/

Një letër drejtuar Kryetarit të Partisë Demokratike, nga anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, u duk më së shumti naive, për shkak të një fjalori të troçtë, e lexuar gati gati si një gjuhë parapolitike. Por më duhet të them që në fillim, se ajo është në kohë dhe pas saj, fshihet një dorë mjeshtërore politike.Për të gjithë ata që kanë qenë të pavëmendshëm për leximin e saj, letra i kërkonte Kryetarit të PD Lulzim Basha, miratimin e sistemit proporcional kombëtar me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit elektoral në Shqipëri. Si dhe hapjen e debatit për një Kushtetutë të re, hartimin brenda këtij viti dhe miratimin e saj me referendum në pranverën e 2021.

Së pari, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka kërkuar ndryshimin e sistemit, në përmbushje të një kontrate të nënshkruar mes dy palëve, më 25 korrik 2019. Duke konfirmuar në këtë mënyrë, se që nga ajo kohë të paktën, nuk ka qenë një lëvizje kulturore thjeshtë në mbrojtje të godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar në Tiranë të sapo shembur. Por një lëvizje politike, me synime të qarta për të fituar kredo publike, për tu shndërruar më pas në një parti politike.

Si e tillë, anëtarët e saj duke qenë njerëz me profile kombëtare dhe jo si shumica e ish deputetëve të opozitës me profile lokale, përmes sistemit që ata propozojnë, ka shumë mundësi që të jenë nesër pjesë e Parlamentit të ri. Duke u shpërblyer për kontributet e tyre në aksionin politik kundër mazhorancës së kryeministrit Edi Rama. Për të patur mundësi nga Kuvendi, që të vijojnë betejën e tyre për rikthimin e godinës së shembur, në identietet.

Së dyti, duke qenë se ka mbetur edhe më pak se një javë kohë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, kanë akoma mundësi që ta ngrenë çështjen e ndryshimit të sistemit. Për të mos thonë nesër se nuk e dinin, ose se e kishin harruar marrëveshjen me Aleancën për Teatrit, të fimrosur këtu e 10 muaj më parë.

Njeriu më i interesuari për të mos e ndryshuar sistemit zgjedhor në Shqipëri, është Lulzim Basha. Me anë të sistemit aktual, ai mban nën kontroll PD, përmes listës së deputetëve në Parlament. Edhe liderët e partive të vogla aleate me PD, nuk ka qenë e prerë e të qartë në këtë pikë, pasi duken si të interesuar që të futen në Kuvend, përmes listave të PD. Kërkesa e troçtë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, i heq nesër Lulzim Bashës çdo justifikim në raport me ta, për këtë çështje.

E treta, kërkesa e tyre për hapjen e një debati kombëtar për Kushtetutën e re, hartimin e saj brenda këtij viti kalendarik dhe miratimin më pas me referendum në pranverën e 2021, më shumë sesa me Bashën ka lidhje me Ilir Metën. Sepse qëshkurse ka hyrë në atë zyrë, Presidenti I Republikës ka kërkuar më shumë kopetenca kushtetuese, në mënyrë që të realizojë qëllimet e tij politike, të afishuara gjatë kësaj kohe.E kjo realizohet sipas tij, përmes zgjedhjes së Kreut të Shtetit drejtpërdrejtë me votën e popullit. Tek ky hap ai sheh edhe një mundësië për të fituar një mandat të dytë si President i Republikës. Në rast të kundërt, kjo kërkesë mund të shërbejë si një platformë për ta shndërruar Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit në bërthamën kryesore të partisë së re të Ilir Metës, për të cilën është folur kaq shumë kohët e fundit.

Me gurin e letrës “naïve”, duket se synohet që të vriten njëkohësisht, dy zogj. Përmes kësaj lëvizje, të gjithë ata opozitarë që janë për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri, nesër është më e thjeshtë që të distancohen nga Lulzim Basha dhe ti bashkohen partisë së re të Ilir Metës.Nga ana tjetër, kjo lëvizje synon që të vijojë ta mbajë të ndezur flakën e saj politike, deri në pranverën e ardhshme në prag të zgjedhjeve të reja, përmes kuazës së Kushtetutës së re. Duke krijuar kësisoj edhe një fizionomi opozitare, që do ta dallonte qartësisht që në start, me PD dhe partite e tjera të “Opozitës së Bashkuar”.